Disa orë pas dhënies së alarmit për humbjen e kontakteve me dy anijet “Çelepia 2” dhe “Qamili”, policia dhe prokuroria e Durrësit dyshon se anija “Çelepia 2” mund të jetë marrë peng nga shtetasi egjiptian që ndodhet në bordin e saj, Muhamed Selam.

Bashkë me të, në anije ndodhen edhe dy shtetasit shqiptarë, kapiten Dhimitër Malja dhe motoristi Luan Mema.

“Çelepia 2” ka dalë në det më 18 qershor në orën 14:30 dhe prej atij momenti ka humbur kontaktet.

Kryedispeçeri i peshkimit Bujar Bala, bëri me dije për “DurrësLajm” se asnjë prej anijeve peshkarexha të zhdukura në det me marinarë, nuk është gjendur akoma. Peshkarexhave nuk iu punojnë as aparaturat e identifikimit të tyre, “Blubox”, dhe radiot, duke e bërë edhe më të rëndë situatën, për gjetjen e marinarëve të zhdukur.