Sot një nga qytezat e Italisë identifikohet më këtë vepër monumentale. “Chiave” “Çelësi” i vendosur në Cervinara, në afërsi të Napolit është krijimi i shqiptarit Alfred Mirash Miloti.
20 metra e lartë, e çeliktë, ajo është vendosur në hyrje të qytetit. Është mirënjohja e artistit për vendin që i hapi derën 26 vite më parë.
Në një pjesë të krijimtarisë së tij, çelësi është një element të cilin e ndesh shpesh. Në rastin konkret forma në shkronjën e “u-së” tregon se ai i Cervinarës” e kreu detyrën e tij.
Ky çelës i kapërceu kufijtë e një vepre monumentale. Historia e Alfred Mirash Milotit tërhoqi vëmendjen e mediave italiane, edhe për mesazhin që ai i jep botës ku një nga sfidat e saj është emigracioni. “Çelësi” si simbol është vendosur në fanellat e ekipit amator të qytezës dhe një shkollë atje quhet “La Chiave di Cervinara”.
Të njëjtin simbol, artisti do ta çojë edhe në Kinë, ku prej kohësh është angazhuar si pedagog i pikturës në Universitetin e Jinan-it.