Personalitete të njohura të jetës publike dhe politike të Durrësit, njerëz të artit, por edhe qytetarë të thjeshtë kishin si pikë takimi mbrëmjen e së enjtes Muzeun Arkeologjik të qytetit.
Ekspozita 40 vite karrierë e fotografit të palodhur Gëzim Domi bëri bashkë në të njëjtin vend miq e dashamirës të tij, por edhe shumë adhurues të krijimeve profesionale.
Për mikun dhe bashkëpunëtorin më të afërt, Bashkim Hoxha, kjo ekspozitë ngërthen në vetvete dashurinë e pashtershme të Domit, për qytetin që e ka shpërfaqur në të gjitha dimensionet e tij.
Miku i vjetër, Abaz Hado, kujton Domin që në fillesat e tij dhe vlerëson tek fotografitë e tij peisazhet fantastike të detit dhe natyrës, perëndimeve në Durrës etj.
Në mbi 200 foto të ekspozuara në ambientet e jashtme të Muzeut Arkeologjik shfaqet transformimi i Durrësit vit pa viti, me shenjat që ngjarje të ndryshme kanë lënë në qytetin 3000-vjeçar.
Fotografi i njohur Roland Tasho dhe ish-presidenti Bamir Topi, një mik i vjetër i Domit, e konsiderojnë fotografin një vlerë e pamohueshme e qytetit.
Gëzim Domi është një artist i bërë nga duart e tij, pasi e mësoi dhe kultivoi vetë këtë pasion, në mënyrë autodidakte, duke u perfeksionuar me kalimin e viteve. Në fjalën e rastit mbajtur para të pranishmëve, Domi falenderoi të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët ndër vite, si dhe familjen e tij, falë tolerancës dhe dashurisë së të cilës, ai finalizoi sot një karrierë të shtrirë në 4 dekada.
Nga ana konceptuale, ekspozita ishte ideuar nga djemtë e Gëzimit, Indrit dhe Besmir Domi, të dy po ashtu të ushqyer me dashurinë për fotografinë që të vegjël.
M.B.