Në ambientet e Galerisë së Arteve Pamore në Durrës u çel mbrëmjen e së mërkurës një ekspozitë mjaft e veçantë me piktura dhe punime dore të realizuara nga fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç.
Në ekspozitën që u organizua nga platforma “Eduaktiv” në kuadër të projektit “Liberi” (mbështetur nga Lëviz Albania), morën pjesë rreth 100 prindër dhe fëmijë të ardhur nga 15 kopshte publike të Bashkisë Durrës. Secili kopsht u paraqit me disa punime, të cilat u ekspozuan në muret e Galerisë dhe tërhoqën vëmendjen e vizitorëve.
Fëmijët kishin shprehur gjithë fantazinë dhe talentin e tyre në ato piktura që përcillnin mesazhe dhe tematika nga më të ndryshme që nga ardhja e pranverës; e deri te dashuria për prindërit dhe familjen; por nuk mungonin as punimet e tjera ku vogëlushët kishin vizatuar flamurin kombëtar.
“Eduaktiv” vlerësoi me certifikatë secilin kopsht për pjesëmarrjen në ekspozitë dhe prezantimin e punimeve artistike të vogëlushëve.
Nga ana e tyre, edhe vetë prindërit dhe edukatorët vlerësuan këtë organizim të ndërmarrë nga “Eduaktiv” ndërsa u shprehën se aktivitete të tilla kulturore dhe argëtuese duhet të organizohen më shpesh dhe të shtrihen në çdo kopësht ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës.
Platforma “Eduaktiv” është e zhvilluar nën kujdesin maksimal të komunitetit, duke ndërtuar profilet e institucioneve arsimore në bazë të informacioneve publike, të kudo ndodhura në mënyrë që ky informacion të merret më thjesht, të krahasohet, të vlerësohet nga komuniteti e më pas çdokush të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur.