75 foto në teknikën bardh e zi u prezantuan në ekspozitën “Jeta Urbane në Durrës” e çelur pasditen e sotme në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”.
Qëllimi i ekspozitës së Klubit Rinor për Angazhim Komunitar (KRAK) është të pasqyrojë jetën social-ekonomike të qytetarëve në Durrës në dy vite të vështira të historisë së tij, pas tërmetit dhe gjatë pandemisë.
Një qytet i zbrazët prej njerëzve, që u kyçën brenda për shkak të pandemisë është një nga detajet më të veçanta që fotografi i ri Griseld Hoxha ka fiksuar me aparatin e tij.
Ndërsa për vullnetarin nga Shijaku, Gentian Paja, procesi i rindërtimit është një nga etapat më të rëndësishme në historinë e qytetit të vogël dhe nuk kishte si të mungonte në fotot e tij.
KRAK synon të ndërmarrë iniciativa të vogla për të promovuar vullnetarizmin e të rinjve dhe angazhimin e tyre në jetën social-ekonomike të qytetit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 28 maj.