Është çelur ekspozita “Kërtusha 2017”, e skulptorit të mirënjohur durrsak Qazim Kërtusha, e mbështetur në një kohezion retrospektiv 45-vjeçar të një pune krijuese të pareshtur të autorit, nga më të vlerësuarit e kësaj periudhe. Në të janë ekspozuar në ditën e monumenteve punime të hershme që kanë qenë si të thuash dhe piketat artistike që skulptori ndoqi në jetën e tij profesionale tepër të vlerësuar. Duke filluar që nga një maskë e rrahur në bakër deri në një kolonë monumentale të merituar “përjetësi” në dru këto muaj të vitit 2017. Në ekspozitë janë paraqitur 40 vepra nga më të spikaturat dhe të vlerësuara nga admiruesit, studiuesit e skulpturës si dhe nga kolegët e tij. Punimet e paraqitura janë të punuara në mermer, bronx, dru, vizatime, rezinë, qeramike dhe projekte ide.
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë i është dhënë edhe portretit të personalitetit Vangjel Toci, babait të arkeologjisë durrsake, të cilën Kërtusha me rastin e çeljes së ekspozitës thotë se do ia dhuronte Muzeut Arkeologjik.
Në organizimin e kësaj ekspozite është mbajtur parasysh linja e ekspozimit duke i dhënë përparësi këndvështrimit artistik të Kërtushës, i cili nëpërmjet kërkimit të gjetjeve të reja në artin që kultivon, përdor si moto artistike të tijën, shprishjen e formave për të krijuar ekuilibra të reja si dhe shprishjen e ekuilibrave për të krijuar emocione të mosdakordësisë njerëzore.
K.H.