“Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”, fotoekspozita në përkujtim të kësaj ngjarjeje historike është hapur në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës. Autoritete të larta vendore të portit të Durrësit, qytetarë e dëshmitarë okularë të atyre viteve kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me 25 fotografi bardhezi, të vëna në dispozicion nga Agjencia Telegrafike Shqiptare. Kjo veprimtari e organizuar nga Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH, rikthen në vëmendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin me anije në Mars 1991. Kreu i bashkisë Dako, ai i APD-së Shalsi dhe i ATSH-së Podgorica kanë mbajtur fjalimet e rastit, duke sjellë edhe përshtypjet personale për eksodin e shqiptarëve drejt Europës.
Vangjush Dako në fjalën e rastit theksoi: “Kujtojmë 25 vjet më parë, ato ditë të trishtueshme që ka kaluar ky qytet në jetën e tij. Ditët e eksodit, kur mijëra të rinj e të reja u larguan drejt Europës. 25 vjet kanë kaluar por asnjë herë nuk duhen harruar. Porti është parë si një mundësi shprese, dhe nga dyert e këtij porti kanë emigruar të rinjtë në Europë”.
Për drejtorin e APD-së kjo është një traditë e re, e cila do të përfshihet në ceremonitë përkujtimore. “Qyteti është totalisht i përfshirë në këtë eksod. Pas 25 vjetësh ne e përjetojmë me emocion dhe e përkujtojmë. Kjo është një traditë e re në kujtim të kësaj ngjarjeje të shënuar, e cila do të vijojë të kujtohet edhe në të ardhmen”.
Drejtori i ATSH-së Gëzim Podgorica tha se “25 vite janë sa larg edhe afër e rëndësishme është që të sjellim gjithmonë në vëmendje ngjarje e momente nga Shqipëria jonë e dashur”.
Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.
Ekspozita ka sjellë për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Të pranishmit, përmes 25 fotove bardhezi mund t’i rikthehen emocioneve të 25 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit.
K.H.