Krahas aktiviteteve kulturore, artistike, konferenca e simpoziumeve shkencore që po zhvillohen dhe do të zhvillohen në vendin tonë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, veprimtari të ngjashme kanë nisur te organizohen nga ambasadat shqiptare në mbarë botën. Nisma më e fundit është muaji i kulturës shqiptare në Itali. Ambasada shqiptare në bashkëpunim me bashkinë e Romës dhe gazetën “Bota shqiptare” startuan në fillim të muajit shkurt një seri aktivitetesh të larmishme artistike, të cilat kanë për qëllim të shpalosin një mozaik të gjerë të historisë dhe kulturës shqiptare, të lidhjeve të forta shekullore mes Shqipërisë dhe Italisë, aspekte të jetës dhe veprimtarisë së shqiptarëve dhe arbëreshëve në Itali, si dhe të evidentojnë vlerat e artistëve shqiptarë që kanë bërë emër në vendin fqinjë.
“Vendi Përballë – Shqiptarët e Italisë kremtojnë 100 vjetorin e Pavarësisë” është titulluar ky muaj kulture, që përmes ekspozitave të pikturës dhe atyre fotografike, ekspozimit të dokumenteve të rëndësishme të Arkivit Qendror të Shtetit, që kanë shënuar lindjen e shtetit shqiptar, konferencave e projektimeve të filmave me metrazh të shkurtër e dokumentarëve, do të prezantojë në Romë, në Muzeun e Civilizimit Romak, Shqipërinë – vendin përballë. Për një muaj me radhë, nga 4 shkurti deri në 3 mars, në këtë muze do të qëndrojë e hapur ekspozita kolektive e artistëve të njohur shqiptarë në Itali si: Alfred Mirashi (Milot), Agim Sulaj, Arta Ngucaj & Arben Beqiraj, Frederik Ivanaj, Armand Xhomo, Xhovalin Delia, Albert Dedja, Agim Hajzëri, Anila Shapalaku etj. Organizatorët e këtij muaji kulture kanë menduar të shfaqin në ambjentet e këtij muzeu ekspozitën fotografike si dhe pamjet vizive "Albania from the air" të realizuara nga Alket Islami.
Në kuadër të prezantimit të resurseve turistike që vendi ynë ka e që nuk janë promovuar si duhet apo që ende nuk njihen nga të huajt, krahas ekspozitës së Islamit është programuar edhe një takim me operatorët turistikë. Në takimin “Shqipëria turistike ju mirëpret”, në të cilin pritet të marrë pjesë ministri ynë i kulturës, Aldo Bumçi, dhe i deleguari i Kryetarit të Bashkisë së Romës për turizmin do të diskutohet mbi mundësitë që ofron vendi ynë jo vetëm për turizmin masiv, por edhe atë elitar. Bashkëpunimi mes agjensive turistike vendase e të huaja shihet si një hallkë mjaft e rëndësishme e zinxhirit të inisitivave të ndërmarra për të promovuar vlerat turistike, historike, arkeologjike e kulturore të vendit tonë, për të krijuar një vizion më të gjerë në sytë e të huajve, pasi Shqipëria nuk ofron vetëm tokë dhe det, por ajo ka një histori të pasur, tradita e zakone që për syrin e europianit të sotëm janë mjaft atraktive.
Një vëmendje e veçantë gjatë këtij muaji kulture do t’i kushtohet komunitetit arbëresh që jeton prej shekujsh në Itali. Ditën e premte, me datë 17 shkurt do të mbahet simpoziumi shkencor “150 vjetori i bashkimit të Italisë dhe 100 vjetori i Rilindjes Shqiptare. Roli i arbëresheve Pasquale Scura e Terenzio Tocci”, ku do të marrin pjesë historianë dhe gazetarë të mirënjohur italianë. Në të njëjtën datë do të shfaqet dokumentari i regjizorit Roland Sejko, "Shqipëria vendi përballë", ku përmes imazheve të arkivave më të mëdhenj kinematografikë të institutit italian “Luce”, do të rindërtohen disa nga fazat më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar historia e Shqipërisë, që nga rënia e perandorisë otomane deri në Luftën e Parë Botërore, nga Mbreti Zog deri në pushtimin italian te Shqipërisë, nga diktatura e Enver Hoxhës deri në rënien e komunizmit. Të ftuar në këto aktivitete janë përfaqësues institucionesh shqiptare e italiane, intelektualë, shkrimtarë, regjisorë, muzikantë, piktorë dhe fotografë, studentë shqiptarë, arbëreshë dhe italianë. Veprimtari të ngjashme kulturore, por pak më të vogla nga përmasat kanë zhvilluar edhe ambasadat shqiptare në Bosnjë Hercegovinë dhe në Katar. Këto veprimtari vetëm sa kanë hapur siparin e aktiviteteve të tjera të programuara për t’u mbajtur në ditët dhe muajt në vazhdim.