33 nisma të reja biznesi nga Shqipëria dhe Kosova kanë prezantuar produktet e tyre në një panair të veçantë në mjediset e Piramidës në Tiranë.

Panairi mbarëkombëtar është organizuar në kuadër të Javës së Inovacionit 2017 nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Innovation Hub Tirana. Panairi do të qëndrojë hapur në datat 14 – 16 maj.
 
Në ceremoninë e çeljes së Panairit janë prezantuar disa prej startup-eve më të suksesshme, të cilat tashmë kanë hedhur hapat e parë drejt shndërrimit të biznese të suksesshme dhe fitimprurëse.
 
“Ne jemi shumë të kënaqur që ju përfaqësoni pjesën më dinamike dhe më aktive të shoqërisë. Aftësoheni vetë, përparoni vetë dhe nëse ne mund t’ju japim një shtysë të vogël për t’ju ndihmuar siç është ky rast promovimi, apo siç është rasti i startup-it që do të përfaqësojë gjithë trevat tona në Singapor, në kompeticionin botëror, na vjen shumë mire”, iu është drejtuar ministrja Milena Harito pjesëmarrësve në panair.
 
Ministrja e Inovacionit është ndalur më pas në nevojën e zgjerimit të tregut të përbashkët, Shqipëri-Kosovë, çka do të rriste shanset për zhvillim në fushën e startup-eve, por edhe më gjerë.

“Secili nga ju që operon në këtë sektor, e di mirë që jemi një treg i vogël dhe duhet patjetër ta zgjerojmë tregun tonë. Vetëm duke bashkëpunuar për një treg më të gjerë, për një treg Shqipëri- Kosovë, për një treg rajonal, për të gjithë ju do të krijojmë më shumë mundësi zhvillimi”, ka thënë ministrja Harito.
 
Gjatë tri ditëve të panairit përfaqësuesit e startup-eve do të prezantojnë idetë e tyre të biznesit në fusha të ndryshme si arsim, turizëm, shëndetësi, marketing dhe promocion, art dhe kreativitet, media e komunikim, arkitekturë e transport.