Panairi ndërkombëtar i librit shqip ngriti siparin e tij në qytetin e Durrësit në shëtitoren “Taulantia”. Për 5 ditë me radhë, qyteti i Durrësit pritet të jetë vëmendja letrare mbarëkombëtare. Organizatorët e aktivitetit më të rëndësishëm letrar, shoqata kulturore artistike “DURANA” dhe Bashkia e Durrësit, konfirmuan pjesëmarrjen e rreth 80 shtëpive botuese nga 7 vende të ndryshme. Kreu i bashkisë Vangjush Dako dhe prefekti i qarkut Roland Xhelilaj, ishin të parët që çelën panairin. Kryebashkiaku ftoi të gjithë pushuesit, vizitorët, qytetarët, që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në Durrës që të afrohen me librin.
“Ne mendojmë që ta kthejmë në traditë, panairin e librit”, tha Dako.
Ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i pari i këtij lloji për këtë qytet.
Në Panairin Ndërkombëtar të Librit Shqip, pjesëmarrëse janë rreth 70 shtëpi botuese nga 7 vende si Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Rumania, që do të promovojnë librat shqip për të gjithë të apasionuarit pas letërsisë shqipe. Ky panair ka për qëllim promovimin e artit dhe kulturës nëpërmjet aksit Durrës-Tiranë. Panairi do të qëndrojë i hapur për 5 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës, në shëtitoren “Taulantia”.





