14 janar 2014 – Çelet zyra e parë moderne e Punës në kryeqytet, tek "Rruga e Kavajës", ish-Lidhja e Shkrimtarëve përballë me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Të pranishëm në inaugurim janë Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama. Mësohet se 12 persona të shkarkuar nga puna ndodhen pranë Zyrës së re të Punës dhe kërkojnë të takojnë kryeministrin Edi Rama, lidhur rreth shkarkimeve të tyre. Personat e shkarkuar kanë qenë me profesion ish-specialistë të Zyrës së Punës. Në ceremoninë e inaugurimit, ministri Veliaj u shpreh se nëpërmjet kësaj zyre do të bëhet e mundur rritja e punësimit, që do të bëjë të mundur edhe rritjen ekonomike. Zyra e Punës e cila është ngritur në bashkëpunim mes Agjencisë gjermane të Punës dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, do të jetë tek ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Tashmë ka nisur të funksionojë dhe një portal online modern për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, që sipas ministrit Veliaj, deri më tani ka publikuar 2180 vende pune.