Në një dalje për mediat, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka dhënë detaje rreth ecurisë së procesit të numërimit të votave dhe në bashkitë ku ka përfunduar numërimi.

Celibashi konfirmoi se zyrtarisht votimi ka përfunduar në 34 bashki. Po ashtu ai tha se në disa KZAZ ka pasur pezullim të punës në disa prej KZAZ-ve të vendit, për shkak të lodhjes së numëruesve. Mes të tjerash Celibashi tha se sipas ligjit duhet që deri në orën 22:00 të ditës së sotme të dalin rezultatet.

Ai është pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e Berishës, që e cilësoi procesin një farsë elektorale.

Celibashi tha se në vlerësimin e tij numërimi është duke shkuar më mirë se në zgjedhjet e 2021.

“Në vlerësimin tim, procesi i numërimit të votave është duke shkuar shumë mirë. Pse jo dhe më mirë se në zgjedhjet e vitit 2021. Kemi thuajse aspak incidente të raportuara, vetëm një rast në Kavajë”-tha Celibashi.