Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi një diskutim me ekspertë për dixhitalizimin e sistemit të raportimit dhe të publikimit të financave politike. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka theksuar se sistemi i dixhitalizimit të raportimeve financiare ka si qëllim uniformizimin e tyre, lehtësimin e procesit të raportimit për raportuesit, qartësi në çfarë kërkohet të raportohet qartësi në pasqyrimin e tyre, pasqyrimin në kohë reale dhe në mënyrë dinamike të të dhënave që raportohen (si për të ardhurat/donacionet, ashtu edhe për shpenzimet), akses për të gjitha palët përfshi edhe publikun për të konsultuar raportet dhe për të bërë vlerësime mbi to në kohë reale.

Celibashi theksoi se sistemi duhet të ofrojë mundësinë që palët e interesuara (shoqëri civile, parti, etj.) të marrin lehtësisht, qartë dhe në mënyrë të plotë çdo të dhënë që përfitohet nga raportimet financiare.

“Në rastin e analizimit më të thelluar të të dhënave të këtyre raporteve, subjektet e interesuara mundet ti bëjnë ato duke ju dhënë mundësia për t’i shkarkuar të gjitha të dhënat nga sistemi. E me këtë rast është me rëndësi të themi që ne synojmë që ai (sistemi) të jetë i programuar i tillë që, t’i japë mundësi të interesuarve që të shkarkojnë të dhënat në formate të ndryshme dhe lehtësisht të përpunueshëm.

Sistemi, apo moduli dixhital i raportimeve financiare në tërësi dhe përmbledhtas do të ketë tre komponent, apo aspekte të cilët do të adresohen:

a. procesin e raportimit (me të gjithë elementët) nga partitë dhe subjektet;

b. procesin e auditimit dhe të vlerësimit nga KQZ;

c. procesin e publikimit, dhe aksesit nga subjekte të interesuar”, u shpreh Celibashi.

Celibashi theksoi se stafi përkatës në KQZ prej kohësh ka filluar nga puna për të dizenjuar termat teknik dhe rrjedhën logjike të procesit të raportimit financiar, të kontrollit dhe auditimit nga KQZ dhe të publikimit të të dhënave.

“IDEA dhe Qendra për Sundimin e Ligjit në Finlandë, prezantojnë sot draftin e asaj se si mundet të ndërtohet sistemi digjital i raportimit financiar të partive politike dhe subjekteve zgjedhorë. E vlerësoj si serioz dhe profesional dokumentin në fjalë. Kjo tryezë, por jo vetëm kjo, është një mundësi edhe për aktorë të tjerë të japin edhe ata kontributin e tyre në lidhje me përmirësimet teknike të mundshme që mundet ti bëhen këtij dokumenti dhe rrjedhimisht sistemit digjital të raportimit të financimit të partive të cilin KQZ synon ta ndërtojë”, theksoi Celibashi.