Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi e ka lënë të hapur mundësinë e regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhje, nëse kjo e fundit plotëson dokumentet e kërkuara.
Sipas tij, nëse PD dorëzon dokumentacionin e kërkuar atëherë nuk ka asnjë pengesë që të regjistrohet në zgjedhjet vendore të datës 14 maj.
Celibashi: Nëse dokumentacioni për regjistrimin e PD, sillet në kërkesat e ligjit, atëherë nuk ka asnjë pengesë në regjistrimin e kësaj partie në zgjedhjet e 14 majit, sa kohë që ky dokumentacion nuk është në përputhje me Kodin Zgjedhor, atëherë është më se e natyrshme që PD të mos regjistrohet. Nëse procesi dhe dokumentacioni sillet në shinat e ligjit, atëherë fiton të drejtën për të qenë subjekt zgjedhor në këto zgjedhje.
I ftuar në Abc, Kryekomisioneri theksoi se partitë politike duhet të kuptojnë se zbatimi i ligjit është detyrim kryesor.
Celibashi: Kjo nuk është një çështje që nuk e ka rëndësinë e vet, dhe mosregjistrimin i saj nuk është një ngjarje e rëndomtë, por në fund të fundit, detyrimi për të zbatuar ligjin në germë dhe frymë, nuk gëzon privilegj për të zbatuar këtë detyrim.