Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka ftuar partitë politike të miratojnë ndryshimet në Kodin Elektoral.
Në daljen e parë mediatike për vitin 2024, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve iu bashkua thirrjeve për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, por duke e cilësuar jo jetike në realizimin e parlamentareve 2025.
“Do të ishte mirë, që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për t’i realizuar këto ndryshime sa më mirë që të jetë e mundur. Kuadri kushtetues dhe ligjor, garanton zhvillim e zgjedhjeve demokratike. Sepse nëse po flasim për aspektin rregullator, nuk ka asnjë element që cenon standardin demokratik të zhvillimit të zgjedhjeve.”
Celibashi sqaron se zgjedhjet e rradhës mund të bëhen edhe me Kodin aktual, por emigrantët nuk do të mund të votojnë.
“Nëse mbetemi me Kodin aktual në fuqi, zgjedhjet do të bëhen. Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson boshllëkun ligjor, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë.”
Mungesa e konsensusit në tryezën e Zgjedhores, rrezikon gjithashtu edhe votimin elektronik në 5 qarqet, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier.
“Do të jetë thuajse e pamundur nëse partitë politike dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ-së brenda një periudhe, fundin e muajit Shkurt.
Në zgjedhjet lokale të 14 Majit, votimi elektronik u aplikua në 3 bashki, atë të Kamzë, Vorës dhe Elbasanit.