Për herë të parë Shqipëria pritet të përfshijë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm votimin e emigrantëve dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u shpreh optimist se Komisioni Rregullator do të miratojë aktet e nevojshme për të bërë të mundur këtë proces.
“Është e qartë që klima politike relativisht e acaruar në Shqipëri nuk e ndihmon në përgjithësi procesin përgatitor zgjedhor, por deri në momentin që ne flasim, nuk duket që kjo ka ndikuar procesin e miratimit të akteve nga Komisioni Rregullator dhe në përgjithësi të aspekteve tjera rregullatore apo përgatitore, të cilat Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka përgjegjësi të deleguara nga Kodi Zgjedhor”, tha ai.
Ndërsa palët politike në Shqipëri, nuk arritën dakordësi për numrin e qarqeve ku do të realizohej votimi dhe numërimin elektronik, në intervistën për Zërin Amerikës, zoti Celibashi tha se po punohet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera që janë skeptike, me qëllim që të realizohet votimi elektronik në qarkun e Tiranës. “Ngelet kusht që të ketë një dakordësi nga gjithë spektri opozitar në lidhje me këtë proces edhe pse konsideratat e qoftë Partisë Demokratike apo të dikujt tjetër në lidhje me votimin elektronik nuk lidhen me sistemin në vetvete, por me qasjen e personelit teknik ndaj këtij sistemi”, tha ai.