TIRANE, 17 dhjetor 2013- – Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirian Celibashi bëri të ditur, përmes rrjetit social “Facebook”, se bashkë me 6 kolegë ministra do të dorëzojë sot mandatin e deputetit, në funksion të përmbushjes së zotimit të mazhorancës për të shmangur funksionet e dyfishta.
“Sot së bashku me kolegët ministra Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj, Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço dorëzojmë mandatin e Deputetit. Përmbushim një zotim politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe përqendrohemi në rolet tona ekzekutive.
I siguroj qytetarët dhe votuesit e Fierit se angazhimi im për ta është një proces afatgjatë në të cilin jam plotësisht i përfshirë në drejtim të mbajtjes së premtimeve elektorale dhe përmirësimit të jetesës së tyre,”- shkruan Celibashi.
Më tej, ministri Celibashi njofton se Adelina Rista dhe Anduel Xhindi do të jenë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Fierit.





