Angli, 16 maj 2014 – Një shqiptar te Manchester City. 17-vjeçari Bersant Celina ka firmosur kontratën e tij të parë si profesionist me skuadrën angleze dhe nga viti i ardhshëm pritet të jetë pjesë e skuadrës së parë, që drejtohet nga ana e Pellegrinit. Celina, i cili ka pasaportë norvegjeze, ka qenë pjesë e klubit të “Citizens” prej më shumë se një viti teksa ka luajtur me ekipin e 18-vjeçarëve dhe loja e shfaqur prej tij i ka bindur drejtuesit e klubit që t’i ofrojnë atij një kontratë si profesionist.

Celina ka luajtur gjithashtu dhe me kombëtaren e 17-vjeçarëve të Norvegjisë por në muajin Mars, përpara miqësores së parë mes Kosovës dhe Haitit ai ka pranuar se në të ardhmen do të luajë për ngjyrat e vendit të tij të origjinës dhe jo për Norvegjinë ndaj shumë shpejt nuk do të ishte çudi që Celinën ta shikonim në radhët e përfaqësueses që drejtohet nga ana e Albert Bunjakut. Celina nuk është shqiptari i vetëm që do të aktivizohet vitin e ardhshëm te City, pasi aty luan dhe Sinan Bytyçi, i cili madje është aktivizuar në miqësoren e fundit të “bluve” të Manchesterit me Al Ain.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/