Operacionet thuajse të përditshme të Policisë Rrugore për të ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor duket se kanë dhënë efektin e tyre. Ndërsa, më parë gjobat për mos vendosje të rripit të sigurimit ishin më të lartat në numër, tashmë ato janë pakësuar ndjeshëm.

Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar operacioni "Blici Rrugor", i shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane. Operacioni nisi në orën 11:30 dhe zgjati deri në orën 12:30 dhe në të u angazhuan rreth 580 punonjës policie në total dhe u ngriten e funksionuan 114 pika kontrolli në të gjithë vendin.

Siç duket edhe në foton kryesore, një postbllok i Policisë Rrugore funksiononte në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, si dhe në shumë kryqëzime të tjera kryesore të qytetit bregdetar

Në harkun e një ore, Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, vendosi 352 masa administrative në total:

  • 81 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit.
  • 123 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
  • Si dhe 148 masa administrative për shkelje të tjera, si shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.

Siç duket edhe nga statistikat tashmë mos vendosja e rripit të sigurimit është minimizuar, ndërkohë që mbetet problematik përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit.