Nga Gëzim KABASHI
“Asnjëherë nuk e kam durue vuajtjen e njerëzve, prandaj i vuna detyrë vetes me iu gjind afër të sëmurëve dhe fatkeqëve”. Këto fjalë të thjeshta i përkasin Hysen Bulkut, apo Babë Cenit siç e ka njohur jo vetëm Shijaku e Durrësi, por i gjithë vendi.
Megjithëse nuk kishte studiuar leksionet e mjeksisë, ai u bë një nga mjekët e shquar popullorë të vendit dhe vazhdon të kujtohet sot me respekt nga mijra pacientë që bëjnë një jetë normale, por nuk harrojnë Cenin e Shijakut, apo Doktorin e kockave.
Cen Bulku çdo mëngjes priste, herë jashtë në oborr, e herë në dhomën e tij të thjeshtë dhjetra pacientë të të gjitha moshave që kishin një besim të verbër te mirëbërësi I tyre.
“Ai qeshte dhe bisedonte me ta. Më parë ua hiqte dhimbjen me fjalë dhe kur gjithçka ishte zgjidhur vazhdonte edhe me këshillat për familjarët”.
Kështu e kujtonte Bashkim Seiti, një nga bashkëqytetarët shijakas, i cili ka provuar në shpatullën e tij magjinë e duarve të Doktorit.
Kishte nisur që fëmijë shumë kureshtar me kockat e viçave dhe qingjave, por u bë mjeshtër i kurimit të njerëzve.
Dr. Miri Hoti, një nga kirurgët e njohur të Durrësit e quan kënaqësi periudhën e bashkëpunimit me Babë Cenin, një “ortoped i lindur” siç e përcakton ai; “diagnozat e të cilit shumicën e rasteve ishin të pagabueshme”-shton dr. Miri.
Tradita e re e familjes
Dr. Pëllumbi është më i vogli mes gjashtë vëllezërish dhe motrash në familjen e madhe të Hysen Bulkut, ose të Cenit të Shijakut, siç e njohin ende mjekun popullor që iu kushtua kurimit dhe mjekimit të qindra mijë pacientëve me probleme në kocka.
Duke folur për të jatin, Pëllumbi nuk arrin të ndajë prindin e dhëmbshur nga njeriu humanitar, që vuri në shërbim të të sëmurëve jo vetëm dijenitë e tij por të gjithë familjen.
“Babë Ceni ka lindur më 16 gusht 1912 dhe ka ndërruar jetë më 27 dhjetor 1988-tregon i biri mjek Pëllumb Bulku. Familja jonë fillimisht ka jetuar në Sallmone, ku ka lindur edhe babai, më pas jemi trasferuar në Sukth dhe në Shijak-shton ai.
Në familjen e babait tim ishin shtatë vëllezër, por të gjithë janë kujdesur që Babë Ceni të ishte plotësisht i lirë që të merrej vetëm me pacientët e tij.
Dhe jo vetëm familjarët, por edhe fqinjët tanë, familjet e lagjes Shahini p.sh. që nuk do ti harroj kurrë, të cilët vinin 10-15 vetë në ditë dhe kryenin punët e bujqësisë së familjes sonë atëherë kur toka ishte ende pronë private, në vitet 1950” – shprehet dr. Pëllumbi.
Që nga viti 1973 dr. Petrit Kokolari u bë nismëtar i themelimit të Institutit të Mjekësisë Popullore me qendër në Tiranë-kujton Pëllumbi.
Hysen Bulku ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe konferencat kushtuar kësaj fushe janë mbajtur në Tiranë, në Ersekë, në Mirditë, etj.
Babë Ceni dhe dr. Kokolari kanë referuar shumë tema të përbashkëta dhe fatmirësisht puna e tyre është e përshkruar në arkivin e këtij Instituti-thotë Pëllumbi.
Shumë njerëz e kanë vuajtur humbjen e parakohëshme të Babë Cenit.
“Nuk arritëm t’i jepnim një gotë ujë” -kujton me hidhërim Pëllumbi.
Ditën që vdiq para 34 vitesh vizitoi më shumë se 25 pacientë dhe gjithçka ndodhi aq papritur. Erdhën shumë shpejt 4 mjekë, miq të tij, por vdekja e kishte thirrur-tund kokën Pëllumbi, duke kujtuar orët e fundit të të jatit.
Dera e shtëpisë së Cen Bulkut ka mbetur e hapur disa muaj radhazi. Miq e dashamirë, njerëz që kishin provuar duart e tij të arta vinin nga Konispoli e Saranda, nga Tropoja e Dibra.
Një merak e kanë të gjithë pasardhësit e Cen Bulkut: të kenë edhe mjekë të tjerë ortopedë në traditën e familjes së Babë Cenit.
“Babai dëshëronte që ne të shkolloheshim-vijon tregimin e tij Pëllumbi. Na thoshte gjithmonë se nuk duhet të mbetemi qorra. I vlerësonte shkollën dhe mjekët profesionistë. Ne vëllezërit jemi marrë me patologjitë e kockave njëlloj si babai. Unë qeshë me fat se më mbajti afër dhe kur u diplomova në vitin 1973 për të ishte gëzim shumë i madh.
Pëllumbit i pëlqen të flasë për traditën e re të familjes. Vajza ime e madhe ka studiuar mjekësi në Milano, por edhe nipat e mbesat e tjerë mund të jenë mjekë të ardhshëm ortopedë. E kemi detyrim ndaj Babë Cenit” – shprehet mjeku i njohur.
Kanë kaluar 22 vjet nga vdekja, por njerëzit vazhdojnë ta kujtojnë Hysen Bulkun me shumë respekt dhe mirënjohje. Shijaku e ka shpallur “Qytetar Nderi”.
Këshilli i Qarkut të Durrësit e ka nderuar me titullin “Nderi i Qarkut” dr. Cen Bulkun, njeriun humanitar me pak fjalë dhe punë shumë.
Dr. Pëllumb Bulku:
Pse nuk do ta harroj kurrë babë Cenin, babain dhe doktorin humanitar
Dr. Pëllumbi është më i vogli mes gjashtë vëllezërish dhe motrash në familjen e madhe të Hysen Bulkut, ose të Cenit të Shijakut, siç e njohin ende në të gjithë Shqipërinë Mjekun Popullor që iu kushtua kurimit dhe mjekimit të qindra mijë pacientëve me probleme në kocka.
Duke folur për të jatin, Pëllumbi nuk arrin të ndajë prindin e dhëmbshur nga njeriu humanitar, që vuri në shërbim të të sëmurëve jo vetëm dijenitë e tij por të gjithë familjen.
Babai juaj njihej si njeri shumë humanitar?
-Është e vërtetë dhe kjo nuk lidhej vetëm me pacientët që i shëronte pa pagesë, por edhe me natyrën e tij. Në shtëpi tregojnë ende se si i jati e ka dërguar në Elbasan gjatë kohës së zisë së bukës.
Ishin vitet 1950 dhe familja kishte nevojë të hante. Kur u kthye të gjithë thasët me misër nga qerrja ua kishte dhënë familjeve më të varfëra që kishte takuar rrugës. Kishin më shumë nevojë-i tha të jatit.
Dr. Pëllumbi, ju jeni mjek ortoped, i formuar në universitet dhe në praktikën e gjatë mjeksore edhe pranë babait tuaj? Si mundet që një njeri të ushtrojë këtë profesion në mënyrë autodidakte siç e ka realizuar me shumë sukses babai juaj?
-Ishte shumë I përkushtuar. Jeta e tij ishte shumë komplekse dhe ne të gjithë jemi përfshirë jo pak herë në shqetësimet e Babë Cenit. Zgjohej pas një nate të vështirë dhe thoshte do të shkoj në Lushnje p.sh.
Atje kam një rast të veçante-thonte. E kuptonim kur kthehej që ia kishte dalë me sukses. Fillimisht vëllezërit e vet bënin punën e familjes, pasi Babë Ceni ishte vetëm në shërbim të njerëzve. Të gjithë kënaqeshim kur ai punonte me të sëmurët.
Për fat të keq nuk i kemi ruajtur regjistrat e pacientëve, por ato me siguri e kalojnë shifrën 1 milion.
Që nga viti 1973 dr. Petrit Kokolari u bë nismëtar i themelimit të Institutit të Mjekësisë Popullore me qendër në Tiranë. Babë Ceni ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe konferencat kushtuar kësaj fushe janë mbajtur në Tiranë, në Ersekë, në Mirditë, etj. Babë Ceni dhe dr. Kokolari kanë referuar shumë tema të përbashkëta dhe fatmirësisht puna e tyre është e përshkruar në arkivin e këtij Instituti.
Cila ishte përvoja e Institutit të Mjeksisë Popullore?
-Ky Institut, I vetmi për nga drejtimi I tij I veçantë e shtriu veprimtarinë në të gjithë vendin dhe kontribuoi për tetë vjet radhazi deri në vitin 1982.
Gjatë kesaj periudhe edhe unë kam punuar pranë babë Cenit dhe mjekëve të tjerë. Ishte një periudhë shumë e bukur veprimtarie mjeksore.