Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, këtë të premte në një konferencë për mediat ka hedhur akuza në drejtim të censusit.
Ai është shprehur nga Kryesia e Kuvendit, se nuk po bëhet regjistrimi i popuullsisë në bazë të legjislacionit.
Dule përmendi edhe kërcënime për nënpunës shteti apo biznesmenë.
“Nuk bëhet regjistrimi në bazë të legjislacionit që kërkon edhe pyetjet në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amëtare dhe besimin fetar, përgjigjet janë fakultative, regjistruesit nuk zbatojnë detyrimin e tyre për t’i drejtuar qytetarëve pyetjet, kemi raste kur qytetarët insistojnë, ose regjistruesit thonë nuk janë të detyruar të bëjnë pyetje ose nuk ekziston mundësia teknike. Janë përjashtuar regjistrues vetëm me faktin po se keni regjistruar shumë pjesëtar të një minoriteti dhe nuk janë zëvendësuar. Nuk bëhet njoftim sipas ligjit i atyre që në rastin e parë nuk gjenden në banesat e tyre dhe në rastet kur qytetarët kërkojnë mundësinë e dytë që të regjistrohen, nuk u jepet një mundësi e tillë. Kemi kërcënim, siç ka ndodhur me nënpunës civilë apo biznesmen, kur kanë regjistruar përkatësinë etnike dhe gjuhën amëtare, i kanë thënë që “duhet të kesh parasysh që je nënpunës shteti”, tha ai.
Dule thekson se këto shkelje i ka referuar edhe në instancat e larta të INSTAT, por nuk ka pasur asnjë reflektim.
“Ka dështuar dhe edhe kur i kemi paraqitur ankesat tonë në INSTAT nuk kemi gjetur asnjë reflektim”, përfundoi Dule.