Kryeministri Edi Rama foli sot në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Ai ka bërë një rezyme të të gjithë situatës së vështirë që u krijua vetëm pak kohë më parë nga flakët, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga trupat e angazhuara për shuarjen e tyre dhe rrezikimi i jetëve të tyre.

Ai ka kujtuar edhe rastet specifike të heronjve që rrezikuan gjithçka në luftë me flakët.

“Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen e për t’u përulur me respekt për të gjithë ata ju këtu dhe ata që përfaqësoni. Beteja e zjarrit që përfshiu në 2 muajt e fundit sipërfaqe të konsiderueshme, ishte një kronikë e gjatë e dramatike, por me nota stërmundimi përkushtimi dhe në momente kulmore edhe heroizmi njerëzor që I bëjnë nder uniformave tuaja.

Jemi në ditë tejet të nxehta për të aksesuar nga toka Borshi e Himarën, situata ka dalë jashtë kontrollit, zjarret i afrohen zonave të banuara, helikopterët mbusheshin në liqene të mbuluara nga tymi.

Në Delvinë flakët që kërcënonin lagjet e vjetra dukeshin si regjimente demonësh që nuk zmbrapseshin nga asgjë”, tha ai.

Rama shtoi se mijëra hektarë pasuri natyrore u përpinë nga flakët.

“Disa njerëz që nuk u dihen emrat dhe fytyrat, me ndjeshmëri zëro i përqeshën sakrificat dhe i shkelën me të katër këmbët e tyre interesat e publikut.

I kam kërkuar Ministrit të Drejtësisë të raportojë rastet e mësipërme në gjyqësor. Ne nuk do të heshtim e të lëmë gur pa lëvizur për të vendosur para përgjegjësisë çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmoje shtetin në procese me gllabërues, zjarrvënës apo zaptues të të mirave publike të këtij vendi.