Bashkia e qytetit bregdetar ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës, më 26 nëntor 1912.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve.

Flamurin kuq e zi pranë Bashkisë e ka ngritur kryebashkiakja Sako, e cila gjatë fjalës së rastit tha se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit:

“Kjo ditë shënon një prej momenteve më të rëndësishme të identitetit tonë qytetar dhe mbetet një gur themeli në historinë e Durrësit të shekullit XX e më tej.

Para 113 vitesh, kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, ngriti flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912. Ky akt solemn përfaqëson kujtesën e vlerave më të çmuara kombëtare dhe sakrificat e panumërta që janë bërë për këtë vend. Një akt që ne e nderojmë përherë me krenari. Durrësi është qyteti që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët që e shoqëronin, në udhëtimin e tyre historik drejt përmbushjes së misionit të shenjtë: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Me ngritjen e flamurit në Durrës, nisi rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar. Sot, me mirënjohje e nderim, kujtojmë figurat e shquara durrsake që kontribuan me përkushtim atdhetar: kryetarin e parë të bashkisë Hafiz Ali Podgorica, ata që siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit të kryesuar nga Kasem Durrësi, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës: Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha, Abaz ÇelKupa, si dhe patriotët Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan dhe Marie Kaçulini, e shumë të tjerë që lanë gjurmë të pashlyeshme në këtë moment historik”,- tha Sako.

Krahas memories historike, në këtë ditë të shënuar, Durrësi kujton edhe tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019. Në fjalimin e saj, Sako iu adresua edhe kësaj date:

“Të dashur bashkëqytetarë, 26 Nëntori është gjithashtu ditë reflektimi e humanizmi. 6 vjet më parë, Durrësi u godit nga një tragjedi e rëndë natyrore, por forca, solidariteti dhe puna e jashtëzakonshme e njerëzve tanë bënë të mundur që plagët e asaj dite të shëroheshin më shpejt. Sot përulemi me respekt para kujtimit të viktimave të tërmetit”.

Kryetarja e bashkisë e vuri theksin edhe në ngjarjet historike aktuale, siç është procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

“Me çeljen e grupkapitujve, Shqipëria ka hedhur hapin historik drejt familjes evropiane. Sot jemi më afër se kurrë anëtarësimit në BE, që është rruga më e sigurt dhe më e mirë për të ardhmen e vendit, për mbarë shqiptarët në rajon dhe për të gjithë rajonin tonë” tha Sako.

Ceremoninë solemne të organizuar me rastin e kësaj date të shënuar në historinë e qytetit e përshëndeti kori i nxënësve të shkollës jo publike ‘Mihal Ekonomi”, të cilët pak ditë më parë u vlerësuan me kupën e Festivalit të Këngëve Korale.  

M.B.