Për 2240 studentë të të dy cikleve të studimit të UAMD-së, mbrëmja e së premtes ishte ndër më të bukurat e jetës së tyre.

Pas vite studimesh, ëndrrat e tyre të arsimimit përmbushen me sukses me diplomën e shkollës së lartë.

Ceremonia e diplomimit të studentëve të 5 fakulteteve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” ishte konceptuar si një festë e vërtetë plot ngjyra e gjallëri, kur për herë të parë në historinë e këtij institucioni dijesh u prezantua himni zyrtar.

Për rektorin Shkëlqim Fortuzi, arritjet e studentëve të sapodiplomuar janë një kurorëzim i bukur për punën e palodhur të stafit akademik ndër vite.

I njohur si një nga universitetet më të frekuentuara në shkallë vendi, prioritetet e punës së mëtejshme do të jenë

“Në fokus të punës sonë do të jetë gjithnjë përmirësimi i kurrikulave, ndërkombëtarizimi, përfshirja e diasporës në procesin e mësimdhënies, shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet pedagogëve tanë dhe pedagogëve të diasporës përsa i përket kërkimit shkencor dhe diversifikimit të procesit mësimorsi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me aleatët e Aleancës Stars EU”,- deklaroi rektori Fortuzi.

Mes buqetave me lule, lotëve të gëzimit dhe krenarisë për veten, kjo ditë mbarte shumë emocione për studentët. Për shumë prej tyre tashmë sfida e vërtetë është punësimi.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, një hapësirë e veçantë iu rezervua edhe studentëve ekselentë në secilin fakultet.

E ndërsa një vit akademik u mbyll me sukses, një tjetër pritet të nisë shumë shpejt, më datë 7 tetor. Duket se UAMD, i ka përmbushur pritshmëritë gjatë procesit të regjistrimit, madje dhe i ka tejkaluar.

Në lidhje me regjistrimet e reja në UAMD këtë vit ka përsëri një trend rritës të numrit të regjistrimeve. Aktualisht në raundin e parë janë regjistruar 1200 studentë, pritshmëritë janë që të regjistrohen 1900 studentë, ose 10% më shumë sesa vitin e kaluar”,- tha rektori i UAMD-së.

M.B.