Ceremonia e ditës së Ujit të Bekuar në Durrës ka mbledhur besimtarë të shumtë të krishterë, por edhe mjaft qytetarë të besimeve të tjera fetare të cilët sfiduan reshjet e shumta të shiut dhe temperaturat e ftohta të Adriatikut. 

Ashtu sikurse është bërë traditë prej vitesh, edhe kësaj here në zonën pranë kalatës numër 4 të portit të Durrësit, u zhvillua me pjesëmarrjen e shumtë të besimtarëve të krishterë ceremonia e ditës së Ujit të Bekuar. Katër djem të rinj janë hedhur në det për të kapur kryqin e hedhur në ujë.

Xhulio Arapi, 20 vjeç, student në Durrës nga qyteti i Lushnjës, është djaloshi i cili sfidoi ujërat e ftohta të Adriatikut duke arritur të kapë i pari kryqin.

Më herët, në kishën e Apostull Pavlit e Shën Astit, besimtarët e krishterë kremtuan sot ditën e Ujit të Bekuar. Besimtarët mbushën ujin e bekuar që ruhet për një vit në shtëpitë e tyre. Në kalendarin ortodoks, 6 janari njihet si dita e Ethofanisë ose festa e dritave. Sipas tyre, ky ujë ruhet për një vit dhe konsiderohet mbarësi. Në mënyrë më të veçantë, uji i bekuar kremtohet në Durrës.

K.H.