Në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë zhvillohet sot ceremonia zyrtare e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi.
Qindra besimtarë pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje historike, pasi për herë të parë një shqiptar ulet në fronin më të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në ceremoni do të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe grek, ndërsa Greqia do të përfaqësohet nga ministrja për Edukimin dhe Fenë. Ndërkohë, vihet re mungesa e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili kishte një rol aktiv në ceremoninë e lamtumirës së ish-Kryepeshkopit Anastas.
Gjithashtu, në këtë ceremoni do të marrin pjesë të ftuar nga 13 Kishat Ortodokse të botës, duke e kthyer këtë moment në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin ortodoks.
Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas.