Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantët dhe studentët më të mirë të Shqipërisë, u mbajt sot në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Kryeministri Edi Rama, duke përgëzuar ekselentët për arritjet e tyre, u shpreh:
“Ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, të sfidoni vështirësitë dhe të jeni sot këtu si shembuj të suksesit të gjatë. Një jetë e tërë në shkollë dhe një përpjekje e palodhshme ju kanë sjellë në majë, dhe shumë maja të tjera janë përpara jush. Për këtë arsye, ju jeni heronj për mua.

Ky moment i ndarjes së medaljeve të arta është i vetmi në punën time 365-ditore ku më duket se jam më i shkurtër se ata që kam përballë. Dhe më besoni që ju kam zili, sepse ndërkohë e gjithë bota është aty përpara jush, për ta zotëruar. Keni gjithë kohën e nevojshme përpara dhe, ndryshe nga unë në moshën tuaj, keni gjithçka në dispozicion. Nëse doni që dija juaj të jetë sa bota, nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota, falë teknologjisë”, tha Kryeministri Rama.