TIRANË, 26 shkurt 2013 – “Fasha” e gjatë bregdetare elitare Kavajë-Durrës do të furnizohet me ujë të pijshëm nga puset e shpuara në Çermë të Lushnjës me një investim rreth 8,5 milionë dollarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit bën të ditur se këto ditë do të fillojnë punimet e ndërtimit të linjës së ujësjellësit me presion nga ura e Rrogozhinës piketa 235, degëzimit nga  Kavaja deri në depon e re 4000 metra kub në fshatin Arapaj mbi Plepa si dhe të ndërtimit të depos së re 4000 metra kub në qytetin e Durrësit.

Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion një fond që arrin në rreth 874 milionë lekë (rreth 8,5 milionë dollarë).

Punimet e mësipërme janë pjese e investimit në projektin madhor të furnizimit me ujë të plazheve Durrës- Kavajë nga pus-shpimet e Çermës në zonën e Lushnjës.

/th.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/