Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit publike të bëra nga subjekte të ndryshme, që lidhen me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të disa vendimeve të GJKKO-së, në lidhje me masën “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku.

Në sqarimin e saj për publikun dhe median, Gjykata Kushtetuese thekson se deklaratat e bëra janë tërësisht të pavërteta dhe i përgënjeshtron ato në mënyrë kategorike. Sipas institucionit, bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese që është ende në zhvillim dhe nuk ka asnjë vendimmarrje përfundimtare.

Gjykata bën të ditur se më 22 janar 2026 do të shqyrtojë çështjen në një seancë plenare publike. Palë kërkuese në këtë proces është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ndërsa subjekte të interesuara janë Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Deklarata e GJK:

Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.