Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me hetimet për çështjen “Bankers”.

Në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se hetimet vijojnë, ndërsa shtoi se zhvillimi më i fundit ka qenë zbutja e masës së sigurisë për shtetasit kinezë dhe ish-administratorin Leonidha Çobo.

Ndër të tjera, ajo shtoi se kjo është një çështje në hetim e sipër.

“Hetimet për aferën e Bankers po vijojnë. Janë dy prokurore. Zhvillimi më i fundit ka qenë zbutja e masës së sigurisë për shtetasit kinezë dhe ish-administratorin Leonidha Çobo, sepse nuk mund të mbahen në paraburgim ngaqë kanë kaluar afatet ligjore. Prokuroria e Posaçme e mori dosjen nga ajo e Fierit. Dy prokuroret kanë marrë të pandehur disa persona, mes tyre edhe ish-administratorin Leronidha Çobo. Muajt e fundit kanë çuar disa letër-porosi jashtë vendit, atje ku mendohet se janë çuar paratë.

Kjo është afera më e madhe në këto 2 dekada. Bëhet fjalë për disa qeveri të përfshira. Gjithë thelbi i këtij hetimi janë paratë që janë vjedhur. Hetimi është duke vijuar, pavarësisht se të pandehurit janë të lirë, nën masën për të mos dalë nga vendi. Po pritet akt-ekspertimi sepse nga hetimet e deritanishëm kjo kompani nuk ka paguar asnjë lek në buxhetin e shtetit. Pra është një çështje në hetim e sipër”, u shpreh Lala.