Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka si dhe të gjithë trupës gjykuese.

Në seancën e zhvilluar sot për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë që dëshmia e Arsen Ramës të bëhet me dyer të mbyllura.

Ndërkohë dëshmitë e tjera do të mbahen me dyer të hapura. Sipas prokurores Dorina Bejko, Arsen Ramës i është dëmtuar në Vlorë makina e tij dhe e bashkëjetueses dhe se rasti është referuar nga policia e Vlorës.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.