Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka ripërsëritur qëndrimin e qeverisë shqiptare se çështja e Fredi Belerit, i përket drejtësisë.
Në një prononcim për gazetarët pas takimit me shoqatat e bizneseve të huaja në Shqipëri, Manja tha se është besimplotë që Athina zyrtare nuk ka për ta penguar rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Më duhet të pohoj qëndrimin tonë konstant, Beleri është çështje e drejtësisë. Sigurisht që Greqia ka qëndrimet dhe pretendimet e veta, por kjo është një çështje e drejtësisë. Ky është qëndrimi që kam unë. Unë nuk besoj se Greqia do të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka një qëndrim të dëshmuar të Greqisë në përkrahjen e Shqipërisë në të gjitha proceset integruese të vendit. Edhe kësaj radhe kam bindjen që Greqia nuk do të jetë penguese në procesin tonë drejt BE-së”- u shpreh Manja në një komunikim për gazetarët.