Ministria e Jashtme e Greqisë i përgjigjet deklaratës së Komisionerit Johannes Hahn në lidhje me çështjen çame dhe e quan të papranueshme.

Në një reagim në faqen zyrtare të Ministrisë greke të Jashtme, të cilësuar si ndër më të ashprat në vitet e fundit prej saj, Nikos Kotzias, i ka kërkuar komisionerit të tërheqë deklaratën e tij dhe ta korrigjoje atë, pasi, sipas Athinës, komisioneri ka shkelur kompetencat e tij, duke ndërhyrë në punët e vendeve anëtare, duke çelur debate për çështje që nuk ekzistojnë.

“Deklarata e komisionerit Johanes Hahn është e pavërtetë dhe e papranueshme. Siç dihet, çështja çame është inekzistente dhe si e tillë, kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi, midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioneri Hahn, me përgjigjen e tij të gënjeshtërt, tregon se nuk ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të asnjanësisë, në mënyrë që të avancohet interesi i përbashkët i unionit, siç parashikohet në nenin 17 të Konventës së Lisbonës. Që tani i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme, bindëse për sa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt, të përgjigjes së tij të kontestuar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.