Tiranë, 29 korrik 2014 – Byroja për Mbrojtjen e të Burgosurve i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Tiranës, kundër gjyqtarit të Krimeve të Rënda Idiz Mulkurti.
Shkak i këtij kallëzimi është bërë një vendim i marrë nga gjyqtari Mulkurti në datën 22 korrik 2014, që urdhëronte gardianët e burgut 313 që të bënin shoqërimin e detyrueshëm për të pandehurin Dritan Dajti në seancën e 23 korrikut, seancë kjo kur u dha vendimi me katër burgime përjetë për Dritan Dajtin.
Sipas Byrosë, gjykatësi ka cenuar rëndë të drejtat e Dajtit, duke mos i dhënë mundësinë të mbrohet.
“Më 23 korrik 2014, të pandehurit Dritan Dajti i është bërë shoqërimi i detyrueshëm për në seancë gjyqësore, ku pas fillimit të saj, kryetari i seancës, Mulkurti ka deklaruar të mbyllur shqyrtimin gjyqësor, pa i dhënë të drejtën e mbrojtjes të pandehurit Dajti, për të dhënë konkluzionet përfundimtare. Më pas ai bashkë me anëtarët e tjerë të gjykatës është tërhequr për marrjen e vendimit, i cili u dha po atë ditë, duke e dënuar me burgim të përjetshëm”, sqarohet në kallëzim. Së pari, thekson Byroja, kryerja me dashje e veprimeve të kundërligjshme të të kallëzuarit (gjykatësit Mulkurti) ka të bëjë me faktin se ai ka urdhëruar shoqërimin e Klodiana Lala detyrueshëm të të pandehurit Dajti, mbi bazën e nenit 353 të K.Pr.Penale, në kushtet kur kjo dispozitë e ndalonte një disponim të tillë pas mbylljes së hetimit gjyqësor. Së dyti, gjykatësi me dashje ka kryer veprime të kundërligjshme, pasi ka deklaruar mbylljen e shqyrtimit gjyqësor pa administruar diskutimin përfundimtar të mbrojtjes. “Kryerja e veprimeve të mësipërme përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga gjyqtari Idriz Mulkurti, pasi ai ka pasur detyrimin ligjor të respektojë dispozitat e parashikuara në nenet 353 dhe 378 të K.Pr.Penale, detyrim ligjor i parashikuar në nenin 2 të K.Pr.Penal, ku shprehimisht thuhet se “këto rregulla janë të detyrueshme për subjektet e procedimit penal”, theksohet në kallëzim.
Gjykata dha 4 dënime përjetë ndaj Dritan Dajtit për 4 oficerët e vrarë, pafajësi për vrasjen e shokut të tij Ledion Mara, që ndodhej në të njëjtën makinë me Dajtin në 7 gusht 2009 kur ndodhi shkëmbimi i zjarrit gjatë arrestimit nga skuadra e operacioneve speciale, dhe 15 vite burg për plagosjen e një pushuesi që ndodhej në vendin dhe në momentin e gabuar në Plazhin e Durrësit.
Vendimi i jep fund 276 seancave dhe ngërçit që krijoi për bllokimin e procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për faktin se asnjë avokat kryesisht nga 120 që ka lista nuk guxonte të mbronte Dajtin dhe ky i fundit nuk merrte asnjë avokat tjetër për mbrojtjen e interesave të tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





