SHKUP – Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç ka mbërritur sot në Shkup, ku është takuar me presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zyrtarë të tjerë. 

“Është mirë që sërish të jem në Shkup. Do të punoj me përpjekje të mëdha për të parë se a mund të arrijmë ndonjë përparim”, – ka thënë shkurtimisht Nimiç, përpara takimeve. 

Ai mbërriti në Shkup, pas qëndrimit një ditë më parë në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë me kryeministrin Andonis Samaras dhe ministrin e jashtëm, lidhur me gjetjen e një zgjidhje për çështjen e emrit. 

Ndërmjetësi i OKB-së pas takimeve theksoi se pala greke me sinqeritet të madh dëshiron që të arrihet kompromisi për zgjidhjen e çështjes.

Gazeta greke “Kathimerini” shkruante sot se vizita e Nimiç nuk ka sjellë propozime specifike, por një kornizë e cila mund të përdoret për të gjetur zgjidhje.

Sipas gazetës, Nimiç planifikon propozim të ri, i cili do t`i shpaloset Shkupit dhe Athinës në takimet e ardhshme.