Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur për mediat pas seancës së të mërkurës në gjykatë për çështjen “Gërdeci”, ku sot dëshmoi Shkëlzen Berisha.
Mediu tha se Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë lidhje me të në këtë proces të rihapur.
“Ky proces gjyqësor, në mënyrën si po e zhvillon prokuroria, duke thirrur dëshmitarë që nuk kanë asnjë lidhje me çështjen, po e kthen këtë proces në një proces alogjik. Kjo është një lojë tërësisht mediatike. Jo vetëm e ka hapur në mënyrë të paligjshme, por nuk ka interes t’i shkojë të vërtetës deri në fund.
Është e domosdoshme që të thirren të gjithë dëshmitarët edhe ata që nuk ndodhen brenda vendit. Kodi i procedurës i jep të drejtën për të mos folur atyre që janë të dënuar. Unë i kërkoj të tregojnë të vërtetën mbi Gërdecin. Duhen të thirren autoritetet ushtarake.
Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë lidhje me Fatmir Mediun në raport me këtë proces. Këto janë insinuata të qëllimshme që janë ngritur”,-tha Mediu.