Këshilli i Lartë i Drejtësisë zbarkoi në Durrës duke marrë në dorëzim të gjithë dosjen gjyqësore dhe materialet administrative mbi rastin Xhakja, ndërsa ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese e shtriu akuzën e tij, përtej gjyqtarit dhe anëtarëve të trupit gjykues që vendosi pafajësinë e ekzekutorit të kryekomisarit, edhe te drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Ndërkaq procedime penale dhe pranga pasuan përgjatë javës që sapo u mbyll për gjyqtarin, por edhe efektivat policore që ndodheshin bashkë me viktimën në çastin e ekzekutimit. Gjyqtari Neritan Tabaku që vendosi për pafajësinë e shtetasit Ilir Xhakja në fillim të vitit 2011 është proceduar penalisht për shpërdorim detyre. Shkak i vënies nën akuzë është jo vendimi i dhënë, por procedura administrative gjyqësore e munguar që ka ndjekur atë dhe pikërisht arsyetimi i vendimit të pafajësisë, përtej çdo afati të mundshëm ligjor.

Dy efektivët policorë që ndodheshin me kryekomisarin Adem Tahiraj mbrëmjen e 13 shtatorit në Katund Sukth janë vënë në pranga, për të njëjtën akuzë, “shpërdorim të detyrës”. I pari është ndaluar shoferi i kryekomisarit Fatmir Hoxha, i cili deklarohet të ketë pasur edhe një konflikt të hershëm me Xhakajt, ndonëse ai e mohon.

Më pas është dorëzuar në polici, te kolegët e tij edhe inspektori Kastriot Gosturani. Urdhërarresti për ta ka ardhur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe është komunikuar zyrtarisht nga Ministria e Brendshme. Ata janë dy dëshmitarët kryesorë, bashkë me nipin në kërkim të Xhakjes, pasi kanë qenë të pranishëm në rrugën e fshatit ku u ekzekutua me pesë plumba pistolete kryekomisari.

Dy efektivët nuk reaguan ndaj vrasësit, madje njërit prej tyre i ra dhe të fikët në vendin e ngjarjes nga ajo që pa. Pak çaste pas krimit ishte infermierja e fshatit, Jolanda që pohoi për ne se njëri nga policët ishte “në dynja tjetër”, tepër i tronditur dhe asaj i është dashur t’i bëjë një qetësues për ta sjellë në vete. Ç’polic është ky?!  

Gjatë hetimeve të pavarura të SHKB-së duket se dy punonjësit e policisë kanë pasur mundësi për të parandaluar vrasjen e shefit Adem Tahiraj, apo dhe të ndalonin autorin pas krimit, por nuk kanë kryer asnjë veprim, as para dhe as pas ngjarjes, duke mospërmbushur në këtë mënyrë detyrën e tyre. “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj.

Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë.

Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji”- thuhej në deklaratën e ministrisë. Këtë fundjavë, dy efektivët e ndaluar janë marrë sërish në pyetje lidhur me aksionin dhe detajet e tij, veprimet e pakryera të tyre në vendin e ngjarjes.

KLD inspekton arsyetimin e vonuar gjyqësor

Vendimi, arsyetimi i vonuar i tij, si dhe e gjithë procedura gjyqësore dhe administrative e ndjekur nga gjykata e shkallës së parë të Durrësit në rastin e lirimit të shtetasit Ilir Xhakja po i nënshtrohen një kontrolli të imët dhe të plotë për të zbardhur lirimin e Xhakes. Menjëherë pas vrasjes së shefit të Shijakut, gjykata është vënë në lëvizje duke arsyetuar vendimin e dhënë për pafajësinë Xhakjas, ndërkohë që prokurori i çështjes kishte kërkuar plot 25 vjet heqje lirie ndaj tij.

Ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku që kryesonte trupin gjykues që vendosi për çështjen Xhakja, ndërsa është kërkuar dhe zhveshja e tij nga imuniteti. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka bërë gati fletëthirrjen për kryetarin e Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla dhe kancelaren Ardena Veli, në lidhje me vendimin e pazbardhur që i dha pafajësinë shtetasit Ilir Xhakja

I detyruar nga ngjarjet e ditëve të fundit, vendimi gjyqësor për lirimin e Xhakjes është arsyetuar dhe marrë në dorëzim nga inspektorët e KLD-së. Ky arsyetim vjen kur kanë kaluar plot 20 muaj nga koha ligjore e zbardhjes së tij, duke çuar në bllokim të gjykimit në Apel. Bashkë me vendimin dhe dosjen Xhakja inspektorët e KLD-së kanë marrë në dorëzim edhe materialet e tjera gjyqësore të dosjes së shtetasit Xhakja nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mësohet se pjesë e këtij inspektimi nuk është bërë vendimi i marrë më 23 mars të vitit 2011, vendim që pas atij të pafajësisë çoi në lirimin e Xhakjes nga burgu.

Ishte kërkesa për bashkimin e dënimeve bazuar në nenin 475 të Kodit të Procedurës Penale dhe konstatimi i shuarjes së dënimit për të, çështje kjo e gjykuar nga gjyqtarja Arjana Liço që çoi në lirimin e Ilir Xhakjes, pak pasi fitoi pafajësinë për veprën penale të vrasjes. Rregjistrimi i çështjes u bë më 25 shkurt të vitit 2011 dhe më 23 mars të po këtij viti u mor vendimi që e dënonte me 4 vjet e gjashtë muaj nga 5 vjet që kërkoi prokurori i çështjes.

Paraprakisht ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku që kryesonte trupin gjykues që vendosi për çështjen Xhaka, ndërsa është kërkuar dhe zhveshja e tij nga imuniteti. Gjyqtari gjatë javës së kaluar ka paraqitur raport mjekësor dhe nuk është paraqitur në gjykatë, duke shkaktuar shtyrje të seancave gjyqësore që duhej të drejtonte. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Ervin Metalla ka konfirmuar kryerjen e arsyetimit të vonuar të vendimit që la të lirë 38 vjeçarin Xhakja.

Sipas tij, gjyqtarit Tabaku i është tërhequr vërejtje për vonesën në bërjen e arsyetimit dhe dorëzimin e tij, kohë para se të plaste skandali, gjithsesi “do të jenë rezultatet e inspektimit që do të tregojnë procedurën e ndjekur”. Vendimi i dhënë nga Gjykata e Durrësit kundërshton në mënyrë flagrante shkencore nga prokurori i çështjes, gjurmët papilare të të pandehurit. Inspektimi nga KLD mbi dosjen Xhaka pritet të përfshijë të gjitha aspektet e çështjes së lirimit të tij, çështje që u shndërrua në një skandal në gjyqësorin shqiptar, duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.

Mësohet se Gjykata e rrethit të Durrësit ka vënë në dispozicion të këtij inspektimi të gjitha burimet e brendshme të saj, për të mundësuar një kontroll të imtësishëm dhe të plotë, rezultatet e të cilit pritet të zbardhen gjatë kësaj jave.

Metalla reagon kundër akuzave 

Në një prononcim të dhënë në media, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu deklaroi se gjyqtarët e Durrësit që kanë gjykuar vrasësin e kryekomisarit të Shijakut mbajnë përgjegjësi penale për faktin se nuk kanë publikuar vendimin e arsyetuar për një vit e gjysmë. Abdiu e shtrin përgjegjësinë jo vetëm te gjyqtari Neritan Tabaku dhe anëtarët e trupit gjykues, por edhe te sekretari, kancelarja dhe kryetari i gjykatës, të cilët sipas tij, duhet të mbajnë përgjegjësi penale, pasi është shkelur Kushtetuta dhe ligji. “Askush nuk duhet të nxitohet në konkluzione të pabazuara dhe spekulative” – ka reaguar kryetari i Gjykatës së rrethit Durrës, Ervin Metalla. “Ju bëj me dije se unë si kryetar, por edhe kancelarja e gjykatës, kemi ushtruar të gjitha përgjegjësitë e ngarkuara me ligj. Kjo duhet të evidentohet nga inspektimi i KLD-së, të cilit ju mund t'i drejtoheni për informacion të mëtejshëm në këtë drejtim. Pa këtë informacion mendoj se askush nuk duhet të nxitohet në konkluzione të pabazuara apo spekulative. Përgjegjësitë e secilit janë të ndara dhe të ndryshme. Puna është konkrete dhe e dokumentuar në këtë drejtim, por për sa kohë kjo duhet të jetë objekt gjykimi dhe konkludimi zyrtar nga Inspektorati i KLD-së, nuk mund të jap detaje të mëtejshme në këtë moment. Ju siguroj se nga ana e drejtuesve të gjykatës është bërë gjithçka e mundur në këtë aspekt”- tha kreu i Gjykatës së Durrësit Metalla. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës mësohet se ka bërë gati fletëthirrjen për kryetarin e Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla dhe kancelaren Ardena Veli, në lidhje me vendimin e pazbardhur që i dha pafajësinë Ilir Xhakes. Të dy do të pyeten për procedurat e ndjekura nga gjykata për këtë rast, ndonëse burime të gjykatës bëjnë të ditur se në mënyrë të vazhdueshme është kërkuar nga këto autoritete zbardhja e vendimit të arsyetuar. Hetimi po kryhet paralelisht me KLD-në dhe në qendër të tij është pikërisht vonesa e pajustifikuar e zbardhjes së vendimit nga gjyqtari. 

Dëshmia e I.Xhakjas pas vrasjes

Kam qenë duke bërë xhiro në lagje. Kam parë që pranë makinës “Opel” që është në pronësi timen, por e drejtonte nipi im Ledjon Krasnaj, ka shkuar një patrullë policie. Me sa mbaj mend atje ka qenë vetëm një automjet blu me fenelina dhe me shkronja “Policia”. Kanë qenë tre persona. Kam shkuar pranë vendit të ngjarjes dhe kam njohur vetëm Fatmir Hoxhën. Me këtë kam pasur një mosmarrëveshje kohë më parë. U kam kërkuar llogari se çfarë ka bërë nipi im dhe ata më janë përgjigjur keq. Mendova se mund të ishte kurth për të më goditur mua, pasi veprimet e tyre ishin të dyshimta. Shoferi Fatmir Hoxha, me sa mbaj mend, po tentonte të futej në automjetin që drejtohej nga nipi im. E kam shtyrë dhe më pas ka ndërhyrë një person tjetër. Mu drejtua se do të bllokonte makinën. Aty jam nxehur dhe i kam sharë. Ky person (Tahiraj) ka kthyer kokën dhe trupin dhe ka nxjerrë nga brezi pistoletën duke e mbajtur në gjysmë lartësi. Në këtë moment kam menduar se do të më vrisnin dhe me shpejtësi kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar. Jam larguar me automjet për t’u dorëzuar pas negociatave në orët e para të datës 14 shtator.