DURRËS, 23 maj 2013 – PD-ja Durrës ka çuar në CEZ-in rajonal një drejtor pa arsim të lartë dhe tjetrin të hequr në dhjetor 2012 për shkelje dhe shpërdorime. Në shkrimin kryesor të numrit të 23 majit 2013 të së përditshmes “Dita” shkruhet ndër të tjera:“Neritan Gole, drejtor i zonës Durrës. Pa arsim të lartë (mund të jetë diplomuar tani në ndonjë universitet privat). Kryetar seksioni i PD, nuk ka punuar ndonjëherë në energjetikë”. Para emërimit në CEZ, z.Golja ka qenë drejtori i Drejtorisë së Transportit Rrugor në Durrës, në varësi të ministrit të Punëve Publike e Transportit, ish-deputet i Durrësit, z.Sokol Olldashi.

Po ashtu “Dita” thotë: “Në Durrës është emëruar drejtor njësie Halim Lika, ing. elektrik, i larguar nga puna në dhjetor 2012 për shkelje të rënda dhe abuzime në detyrë (ka edhe një raport të auditit të CEZ-it për këtë)”

Publikimi i këtyre dy emrave ka shkaktuar nervozizëm në shtabin elektoral të selisë blu të qytetit bregdetar, ku njerëzit e PD-së qendrore kanë kërkuar sqarime për vërtetësinë e njoftimeve të një gazete afër opozitës.

Duke qenë se faturat e dritave apo ndërprerjet e furnizimit me energji për shkak defekteve kanë ndjeshmëri në elektorat, kandidatët e mazhorancës po bëjnë çmos të minimizojnë efektet e njoftimeve negative, duke mos përjashtuar në këtë rast ndonjë “kokë turku”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/