Tiranë, 16 prill 2014 – Gazeta “Dita” shkruan sot se një pallat në rrugën “Pjetër Bogdani”, ku banojnë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit dhe ku ka një apartament banimi edhe vetë bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama ka 48 orë pa energji elektrike dhe rrjedhimisht pa ujë të pijshëm.
Banorët janë privuar nga furnizimi me energji dhe ujë për shkak të prishjes së gjeneratorit të pallatit gjatë ditës së hënë.
Mësohet se në këtë pallat banon familja e Albana Shtyllës, sekretare e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, familja e Arben Rakipit ish-Kryeprokuror i Republikës, etj. të cilët janë detyruar të kalojnë natën tek të afërmit deri në zgjdihjen e problemit.
Të pyetur nga DITA , përfaqësues të CEZ thonë se janë njoftuar për problemin por nuk mund të ndërhyjnë sepse kabina elektrike ku ndodhet transformatori është sipas tyre “private”. Sipas një rregulli ndërtuesit e pallateve pas përfundimit të ndërtimit duhet të ndërtojnë edhe kabinën elektrike me transformatorin e energjisë dhe të bëjnë më pas një akt dhurimi për CEZ-in.
CEZ thotë se ky pallat nuk ka dorëzuar në zyrat e CEZ-it dokumentet e aktit të dhurimit, kështu që transformatorin duhet ta rregullojnë vetë banorët. Administratori i pallatit i ka quajtur këto pretendime qesharake sepse po të mos ishin dorëzuar dokumentet pallatit nuk do t’i ishin lidhur dritat.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





