TIRANE – Kompania “CEZ Shpërndarje” njofton për vjedhjen e 6 km kabull ajror nga linja 35 kv Libofsh-Karavasta, duke lënë pa energji elektrike Hidrovorin e Karavastasë. Mësohet se ekipet e CEZ Shpërndarje janë duke punuar për zëvendësimin e kabullit të vjedhur. 

“Vjedhja e aseteve është një problem serioz dhe shumë alarmues, siç edhe po njoftojmë vazhdimisht. Që nga tetori 2010 deri më sot kompanisë i janë vjedhur 198 transformatorë, 12 km kabull bakri dhe 6000 kg përcjellës bakri. Autorët e këtyre vjedhjeve jo vetëm i shkaktojnë kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar, por edhe lënë komunitetet përkatëse dhe klientët e rregullt të CEZ Shpërndarje pa energji elektrike. Siç edhe kemi njoftuar, në kushtet aktuale të një portofoli të vështirë financiar, CEZ Shpërndarje ka vështirësi në sigurimin e bazës materiale.”- thuhet në njoftimin e CEZ.

Kompania bën të ditur se po përdor të gjitha mjetet ligjore që disponon në përballjen me fenomenin e vjedhjeve të aseteve, por kërkon mbështetjen e organeve të rendit, institucioneve të tjera përkatëse dhe komunitetit, duke theksuar se vjedhjet e aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por të gjithë konsumatorët.