Prokurori Arjan Ndoja, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas atentatit të sotëm, u akuzua rëndë nga kryeministri Edi Rama në 9 tetor, si person i lidhur me banda të rrezikshme kriminale.

Gjatë seancës plenare të 9 tetorit, kreu i qeverisë u sulmua egërsisht nga Rama, i cili tha se Ndoja do të ndëshkohet nga drejtësia për abuzimet me ligjin.

Konflikti nisi pasi Ndoja kërkoi të dënohej ish-drejtori i Kadastrës së Durrësit Liridon Pula për veprën penale të përvetësimit të pronave në këtë qytet. Në 18 tetor, Gjykata e Apelit të Durrësit e liroi nga burgu Pulën duke i caktuar masën e re "Detyrim paraqitje’’.

"Ju e patë vetë javën e kaluar të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon.

Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që u jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë.

Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurtë. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, shprehej Rama atë kohë.