Ndërhyrja për largimin e ujërave të zeza nga kantieri i ndërtimit të godinës së gjimnazit “Gjergj Kastrioti” është hapi i parë që i paraprin nisjes së gërmimeve të shpëtimit në sitin arkeologjik, që u zbulua tetorin e vitit të kaluar.
Autoboti i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës nisi punën paraditen e së enjtes në kantier, ndërkohë paralelisht autoritetet janë duke vijuar me zbatimin e të gjitha procedurave të tjera për t’i hapur rrugën nisijes së gërmimeve.
Në përgjigjen që “DurrësLajm” mori nga UNDP, thuhet se “në datë 03.04.2024, është bërë një inspektim i përbashkët në kantierin e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti” me përfaqësues të Bashkisë Durrës, UKD, IKTK, arkeologut, kontraktorit, mbikëqyrësit të punimeve dhe UNDP.“
Palët janë informuar për lidhjen e kontratës mes bashkisë Durrës dhe subjektik arkeologjik të licencuar, i cili do të jetë përgjegjës për kryerjen e gërmimit arkeologjik, ndërkohë që Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkia Durrës do të procedojnë me lidhjen e marrëveshjes trepalëshe për të mundësuar fillimin e gërmimeve në terren dhe zyrtarizimin e rifillimit të punimeve sipas grafikut.
Nga ana tjetër UKD do të vërë në dispozicion azhornimet dhe projektin e nevojshëm për të kryer ndërhyrjen për sistemimin e përhershëm të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, ndërsa kontraktori i punimeve do të kryejë zëvendësimin e tubacionit të bllokuar nga inertet nën monitorimin e arkeologut të licencuar.
“Të gjitha këto procese pune pritet të përfundojnë brenda 1 jave, ndërkohë pas kësaj do të vijojë faza e gërmimit arkeologjik për një periudhë 2 mujore”,– bën të ditur UNDP nê përgjigje.
M.B.





