Nga Mentor Kikia

Afganistani dhe afganët që kërkojnë strehë, për qytetarët e thjeshtë shqiptarë janë një histori dhëmbshurie, ndërsa për politikën një histori e mirë PR. Por Afganistani duhet të jetë shumë më shumë se kaq. Ai është vetë e ardhmja jonë që po shfaqet në kohën e tashme. Po po, mos u habisni!

Në aspektin e sigurisë territoriale dhe jo vetëm, Shqipëria është sot në epokën më të lavdishme të saj. Për herë të parë në histori, fqinjët nuk munden(jo se nuk duan) të shtyjnë gardhin për të marrë ndonjë copë tokë. Për herë të pare, që nga copëtimi i trojeve, kemi dy shtete shqiptare dhe një faktor shqiptar në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Ne kemi tri dekada që jemi krah të “fortëve”. Pa asnjë dyshim, që ky shekull në rajon, është shekulli i shqiptarëve.

Dhe e gjithë kjo falë një aktori, SHBA!

Ndërsa 100 vjet më parë të mëdhenjtë diskutonin fshirjen fare nga harta të një shteti “që nuk bëhej dot”, sot ne ulemi në një tryezë me ta dhe diskutojmë “çështje të mëdha”.

Por, sa do të zgjasë kjo ëndërr e bukur?

A mjaftojnë sevilizmat proamerikane e politikanëve të Tiranës, që kjo histori të vazhdojë pafund?

A mjaftojnë aksionet e PR në mediat botërore për të shpalosur humanizmin shqiptar para të mëdhenjve që u mbyllën derën afganëve?

Përpara se të bëjmë pyetjen “apokaliptike”, se çfarë do të ndodhë nëse SHBA ikin nga Ballkani Perëndimor, pra nëse nuk do të kenë më interesa aty, duhet të bëjmë një pyetje-akuzë:

Çfarë kemi bërë ne shqiptarët në këto 30 vjet, ndërsa kishin mbështetjen e superfuqisë botërore? Sa jemi faktorizuar ne, sa jemi forcuar ekonomiksht dhe ushtaraklisht?

ZERO!

E kemi zhvatur, vjedhur, grabitur, shkatërruar e masakruar këtë vend, në çdo drejtim. Kemi mbjellë pesimizëm dhe deri urrjetje për vendin, duke bërë që arratia të vazhojë të jetë opsioni kryesor i të rinjve. Nuk kemi ndërtuar dot shtet funksional. Kemi ekonomine dhe ushtrinë me modeste në rajon. Si këndej dhe andej kufirit, kemi kultivuar nje politikë të korruptuar. Me shtetin e dytë shqiptar, Kosovën, kemi bërë vetëm mbledhje të përbashkëta qeverie dhe marrëdhëniet i kemi në të njëjtin standard me fqinjët e tjerë. Dhe, konfliktet apo akuzat më të forta politike në rajon kanë qenë mes politikanëve në Tiranë dhe Prishtinë.

Por të dalim tek pyetja: Çfarë do të bëjmë ne, në një situate të supozuar, sikur amerikanët të mos kenë më interesa në Ballkan dhe ne të mos jemi më me të “fortët” në krah? A do të jemi ne zot i vetes? Dhe kjo mund të ndodhë, pasi Amerika “nuk ka miq dhe armiq të përhershëm, ka vetëm interesa të përhershme”.

Disa syresh sot akuzojnë Amerikën se mbështet regjime të korruptuara(supozuar edhe qeverine e Tiranes). Por ne nuk bëmë dot prokopi as kur e kishin Amerikën armik, as tani që e kemi mik. E pra nuk është faji i saj.

Ajo që ne duhet të dimë ne është se historia nuk përsëritet. Amerikanët nuk do të kthehen më në Kabul të përzënë talibanet. Në mos i bëfshin aleatë në të ardhmen, nuk do tu dalin më përballë në llogore.

As ne nuk duhet të mendojmë se do të flemë të qetë përfundimisht, pasi kemi Amerikën tek dera në na mbron. Ka një mori faktorësh të tjerë gjeopolitikë që ndikojnë këto situata, por SHBA, është faktor padyshim vendimtar. Rajoni nuk është më ai që ka qenë dhe pushkët janë ulur. Por, ndërsa po bëjmë paqe me sllavët(padyshim shumë mirë), ne po zbulojmë se armiqtë tanë të rinj janë vetë shqiptarët.