7 muaj pas tërmetit, ende nuk është i qartë fati i shumë godinave me dëme DS4 dhe DS5 në Durrës. Ditën e enjte, në Këshillin Bashkiak pritet të kalojë kërkesa për miratimin e shembjes për 12 pallate në njësinë administrative nr.4 dhe në Sukth, Manëz, Rrashbull dhe Ishëm dhe njëkohësisht kontrata tip për familjet e dëmtuara nga tërmeti në nivelin DS1, DS2 dhe DS3. Kryebashkiakja në detyrë, Emiriana Sako tha sot se procesi është mjaft kompleks dhe janë duke bashkëpunuar me institucionet e tjera të përfshira në procesin e Rindërtimit, për të pasur një përgjigje përfundimtare. Sipas Sakos, nëse Instituti i Ndërtimit do të vendosë për riparimin e tyre, bashkia do të hartojë projekt-preventivin dhe do të kërkohen fondet përkatëse në Ministrinë e Rindërtimit.

“Ky është një proces shumë kompleks. Po bëjmë maksimumin që të marrim akt- ekspertizat dhe objektet që janë për shembje të shemben, ndërsa ato që janë për rindërtim, të rindërtohen. Për objektet që akt-ekspertizat i nxjerrin për riparim, ne do të vendosim një buxhet përkatës dhe do të bëjmë një procedurë për të nxjerrë projekt-preventivët e riparimit të tyre dhe më pas do të kërkojmë fonde për këto objekte në Ministrinë e Rindërtimit.”,– iu përgjigj kryebashkiakja Sako përgjigjes së bërë nga DurrësLajm

Emergjenca për gjetjen e një tjetër vendi për depozitimin e mbetjeve në Durrës ka shtyrë bashkinë të mendojë për ndërtimin e një landfilli, por projekti është ende në fazën e idesë, pasi pushteti vendor dhe Qarku Durrës do të bëjnë studimin e fizibilitetit dhe vetëm më pas do të vijohet me fazat e mëtejme. Për 4 muaj, bashkia ka arritur marrëveshjen për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, por ndërtimi i një landfilli në Durrës do të ishte në të mirë të ekonomisë së qytetit.

“Nëse do të vendoset për ndërtimin e një landfilli në Durrës, bashkia do të kërkojë fonde pranë qeverisë shqiptare, sepse pushteti lokal e ka të pamundur të përballojë ndërtimin e tij me fondet e veta. Besoj se brenda 6-mujorit të këtij viti do të arrijmë në një konkluzion përfundimtar. Ne do të vijojmë me dëgjesat përkatëse në mënyrë që ky proces të jetë transparent dhe qytetarët ta dinë se ku do të shkojnë taksat e tyre”,– tha kryebashkiakja Sako.

Në ditët e para të muajit qershor, situata me plehrat në qytet ishte alarmante, për shkak të mbylljes së landfillit të Porto Romanos, ku ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e Eko Parkut. Më 11 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit, në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore.

M.B.