15nëntor 2015 – Sipas lajmeve nga mediat franceze, forcat e sigurisë më në fund kanë sulmuar dhe vënë nën kontroll teatrin Bataclan. Bilanci më i fundit flet për 100 të vdekur në disa atentate në kryeqytetin francez. Të paktën pesë atentatorë – me shumë gjasë xhihadistë, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve – kanë kryer sulmet.

Si ndodhën

Sulmet, të cilët ishin të koordinuar, ndodhën në disa vende në Paris dhe metodat ishin të ndryshme. Në valën e parë, dy atentatorë kamikazë shpërthyen eksplozivë në vende pranë Stade de France, ku po luhej një ndeshje futbolli mes Francës dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, persona të armatosur hapën zjarr, me kallashnikovë, në një restorant kamboxhian të tejmbushur. Zjarr u hap dhe në sallën e koncerteve Bataclan, ku gjetën vdekjen më shumë se 75 vetë. Pothuajse 25 minuta më vonë, persona të armatosur hapën zjarr në Rue de Charonne. Dhe pothuaj një orë pas sulmeve të parë, sulme nga të tjera celula terroriste ndodhën në Louvre dhe Les Halles.

Ndonëse tronditës, sulmet nuk janë tërësisht befasues. Shumë individë nga Franca dhe të tjerë vende europianë kanë udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me grupet ekstremistë atje. Si e kanë demonstruar edhe sulmet në redaksinë e Charlie Hebdo, ka një rrezik të vazhdueshëm për sulme terroriste në Europë. Një pyetje e rëndësishme është nëse sulmet janë organizuar lokalisht, apo nëse ka patur udhëzime apo ndihmë prej grupeve nga jashtë, si Shteti Islamik apo al Kaeda. Përveç kësaj, prurjet e kohëve të fundit të refugjatëve në Europë, nga vende si Siria, nxjerr në pah rrezikun që grupet xhihadiste mund të kenë futur disa prej pjesëtarëve të tyre mes turmave të mëdha të refugjatëve, me qëllimin për të kryer sulme në Europë. Në një fjalim para kombit, presidenti Hollande tha se do të mbyllë kufijtë.

Pasoja politike

Sulmet do të kenë me siguri pasoja politike. Ata vijnë pesë ditë përpara se e vetmja aeroplanmbajtëse e Francës, Charles de Gaulle, do të nisë lundrimin drejt Gjirit Persik, për të kryer aksione kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Franca ka kryer sulme ajrore në Siri që në fund të shtatorit. Nëse sulmet do të kenë për origjinë operacionet e Shtetit Islamik, Franca me siguri do ta thellojë angazhimin e saj në operacionet kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, në një kohë kur fushëbeteja e Sirisë është bërë shumë e komplikuar.

Nga pikëpamja politike, sulmet janë një kujtesë e fërkimeve të kahershme etnike në Francë, pas disa muajve kur fokusi është vënë tek Gjermania fqinjë. Numra të mëdhenj imigrantësh kanë hyrë në Gjermani nga lindja dhe jugu, teksa shumë pak kanë vazhduar për në Francë. Si rezultat, Franca ka mbajtur një profil relativisht të ulët në përpjekjet për të ndalur prurjet e refugjatëve, ndonëse ka qenë e pranishme në disa samite për këtë problem dhe ka mbështetur përpjekjen e Gjermanisë për një rishpërndarje në strehimkërkuesve në të gjithë Europën. Megjithëkëtë, kjo ngjarje me shumë gjasë do të forcojë argumentin e atyre grupeve që kanë bërë thirrje për një ndalim të prurjeve të imigrantëve dhe mbyllje të kufijve, në vende si Gjermania, Suedia dhe një pjesë e mirë e Europës Qendrore dhe Lindore.

Pas këtyre sulmeve, Marine Le Pen dhe Fronti Nacional i ekstremit të djathtë mund të shohin rritje të popullaritetit të tyre. Le Pen ruajti një profil të ulët pas atentatit ndaj Charlie Hebdo në janar, dhe ajo pa sërish një rritje të popullaritetit të saj për shkak të mesazhit të fortë anti imigracion.

Edhe Hollande pati një rritje të lehtë të popullaritetit pas sulmeve ndaj Charlie Hebdo, për shkak të reagimit të tij ndaj ngjarjeve, por një përsëritje e kësaj tendence nuk pritet, sepse tani njerëzit do të vënë në pikëpyetje masat antiterror dhe funksionimin e tyre. Udhëheqësi i partisë republikane të qendrës së djathtë, Nicolas Sarkozy, ka gjithashtu një histori marrjesh qëndrimesh të ashpër për çështje të sigurisë; vetëm javën e kaluar ai po bënte fushatë mbi këtë temë. Në betejën e brendshme për udhëheqjen e partisë, me shumë gjasa votat do të anojnë në favorin e tij, pas sulmeve të djeshëm. /Bota.al/