Ushqimi gjatë shtatëzanisë është vendimtar për shëndetin tuaj dhe të fëmijës. Zbuloni se çfarë duhet të hani dhe çfarë të shmangni nga tremujori i parë në të fundit.
Të Ushqyerit gjatë shtatëzanisë është një çështje e rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ju duhet të dini se çfarë duhet të hani dhe çfarë të shmangni, për të shmangur ndonjë problem, që mund të lidhet sidomos me rritjen e fetusit. Në përgjithësi, një grua shtatëzanë duhet të marrë nga 1’800 deri në 2’600 kalori në ditë, të shpërndara në mënyrë të balancuar. Nuk duhet sigurisht të hajë për dy, por duhet të ndryshojë dietën e saj, duke siguruar një furnizim të gjithë me të gjithë përbërësit e nevojshëm për vete dhe fëmijën, si vitamina, proteina dhe minerale .
Shtimi ideal në peshë në fund të tremujorit të tretë, duhet të jetë midis 11 apo 12 kilogramë. Ndërsa në rastin e shtatëzanive me binjakë pasha e fituar në muajin e nëntë duhet të jetë midis 16 dhe 20 kilogramë. Por shtimi i tepërt në peshë mund të rrisë shanset e lindjes me operacion çezarian. Në këtë artikull do të shpjegojmë se çfarë duhet dhe nuk duhet të hajë një grua gjatë pritjes së ëmbël.
Ushqimi gjatë tremujorit të parë të shtatëzanisë ndihmon në parandalimin keqformimeve të fetusit.
Dieta ushqimore sidomos gjatë tremujorit të parë, duhet të jetë e pasur me perime të freskëta. Ushqimet e pasura me vitaminë B, ndihmojnë zhvillimin e shëndetshëm të fetusit, duke parandaluar deformime. Konsumoni perime të freskëta dhe lajini mirë ato. Evitoni ti hani zarzavatet të papërpunuara. Konsumoni misër, bizele, pjepër, djathë, vezë, drithëra dhe kivi. Konsumoni sa më shumë fruta dhe balancojeni dietën edhe me ushqime proteinike si për shembull mishi. KUJDES! Disa nga ushqimet proteinike si veza dhe mishi duhet të jenë të gatuar mirë. Qumështi duhet të jetë i pasterizuar e në qoftë se nuk jeni të sigurt për origjinën e produkteve të qumështit dhe përpunimin e tyre, shmangini krejtësisht.
Çfarë duhet të hani? Ushqimet që rekomandohen.
Është shumë e rëndësishme një dietë e ekuilibruar, e pasur me të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme për rritjen e shëndetshme të fetusit dhe shëndetin e nënës. Për të shpërndarë më mirë kaloritë ditore (në mes 1,800 dhe 2,600), ekspertët këshillojnë t’i ndani kështu:
• 15-20% proteina (nga të cilat 60% proteina shtazore dhe 40% bimore)
• 30% lipide
• 55% karbohidratet
Ushqimi duhet të jetë i pasur me hekur, pasi gjatë shtatëzanisë rrezikoni të bëheni anemike. Përveç mishit të kuq, gjithmonë të gatuar mirë, duhet të konsumoni vezë, fruta të thata dhe çokollatë. Ka disa vitamin themelore që duhet të jenë të pranishme në dietën tuaj, për të parandaluar deformimet e shpinës. Ja cilat janë ato dhe rëndësia që kanë:
• Vitamina D: është thelbësore për ndërtimin e një skeleti të fortë, pasi ajo lejon thithjen e kalçiumit nga stomaku dhe për këtë arsye kalimin në qelizat kockore. Gjithashtu trupi është në gjendje të zhvillojë vitaminë D, nëse jetoni në një klimë të ngrohtë dhe me diell. Ushqimet e pasura me këtë vitamin janë: qumështi, gjalpi, e verdha e vezës, peshku.
• Vitamina C: lufton lodhjen, rrit rezistencën ndaj infeksioneve dhe gjithashtu përmirëson përthithjen e hekurit nga stomaku. Kivi, mandarina, grejpfruti, limoni dhe portokalli (2 portokall në ditë është e mjaftueshme për të mbuluar kërkesat e përditshme), janë ushqime të pasura me vitaminë C, që duhet t’I konsumoni shpesh gjatë shtatëzanisë.
• Vitamina A: kontribuon në zhvillimin e fetusit dhe veçanërisht në strukturën e dhëmbëve, formimin e flokëve dhe thonjve. Por kini kujdes! Kjo vitaminë nuk duhet marrë në sasi të madhe, sepse mund t’I shkaktojë dëme serioze fëmijës. Për këtë arsye evitoni të merrni vitamin A shtesë apo pro-vitaminë A (tip beta-karroten). Bëni gjithashtu kujdes në kremrat për kujdesin e lëkurës që kanë bazë vitamine A. Përpiquni t’I evitoni gjatë periudhës së shtatëzanisë.
KUJDES! Mos harroni të pini sa më shumë ujë gjatë 9 muajve të shtatëzanisë. Ju duhet të pini 1.5 deri 2 litra ujë në ditë, të cilat gjithashtu mund t’i integroni me lëngje të tjera të tilla si lëngje frutash apo çajra të ndryshëm.
Ushqyerja gjatë tremujorit të tretë. Si të shmangni kapsllëkun dhe urthin?
Gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë rritet mundësinë e vuajtjes nga kapsllëku ose urthi. Për të shmangur djegien e stomakut, është e këshillueshme të ndani vaktet dhe të shmangni dreka ose darka të vështira për t’u tretur. Hani ushqime të pasura me hekur, që janë të rëndësishme për ju dhe fëmijën tuaj, por shmangni ngrënien midis dy vakteve, sidomos të ushqimeve të hidrogjenizuara dhe të pasura në yndyrna. Dietë optimale përbëhet nga mëngjesi, dreka, diçka e pregatur pë të thyer urinë pasdite dhe një darkë e lehtë. Për të luftuar kapsllëkun, konsumoni ushqime të pasura me fibra si: bukë gruri, bajame dhe arra, kufizoni konsumin e ushqimeve me niseshte si për shembull patatja dhe pini shumë ujë. Përveç kësaj, bëni dhe aktivitet fizik. Zgjidhni sportin e duhur për gratë shtatzëna, ose thjesht bëni ecje.
Dieta ideale që duhet të ndiqet në të të tre tremujorët:
Ekziston një dietë optimale që mund të ndiqni gjatë gjithë tremujorëve, në qoftë se jeni shtatzënë. Kjo është një mënyrë e mirë për të mësuar balancimin e vlerave ushqyese duke mbuluar të gjithë nevojat tuaja dhe të fetusit. Ja një skemë e tillë ditore:
· 4 produkte qumështi (qumësht i pasterizuar me origjinë të kontrolluar)
· 3 fruta
· 3 deri në 5 porcione perimesh të freskëta, të gatuara mire
· 5 porcione me drithëra
· 2 porcione me proteina
· nga 15 deri në 30 ml vajra të ndryshme
· nga 1.5 deri 2 litra ujë
Ushqimi duhet të jetë gjithmonë i gatuar mirë. Në rastin e produkteve të qumështit dhe djathërave të butë, bëni shumë kujdes pasi qumështi duhet të jetë i pasterizuar.
Çfarë duhet të shmangur?
Dhe kemi ardhur në një ndalesë të vogël, të nevojshme gjatë shtatëzanisë. Ndalimi i madh ka të bëjë me ushqime të papërpunuara dhe të paketuarat. Ato mund të çojnë në keqformime të fetusit. Sidomos gjatë tremujorit të parë, ju jeni të kujdesshëme kur konsumoni ushqime të papërpunuara. Kur bëhet fjalë për perime apo sallatë, lajini ato me shumë kujdes për të larguar të gjitha papastërtitë. Shmangni tërësisht nga dieta mishin me gjak apo të papjekur mirë.
Evitoni gjithashtu konsumin e kafe-së apo pijeve të tjera me përmbajtje kafeine,pasi ajo absorbohet direkt nga gjaku dhe kështu edhe nga fetusi. Kafeina e tepërt mund të shkaktojë ritmin e shpejtë të zemrës së fëmijës dhe gjithashtu shanset e një lindjeje të parakohshme. Përsa i përket alkoolit në shtatzëni, shmangeni tërësisht atë. Disa specialistë thonë se një gjysmë gotë verë gjatë një vakti nuk i bën dëm askujt, por duhet të dini se alkooli thithet direk nga gjaku dhe fetusi nuk është I mbrojtur nga alkooli që merrni. Fshijini pra nga lista birrën, verën dhe sigurisht pijet e forta alkolike. Ndër të tjera duhet të shmangni janë ushqimet e papërpunuara, të tilla si frutat e deti, produktet kremoze me bazë veze të papërpunuar (të tilla si majonezë), dhe qumështin e freskët të papasterizuar.
Nëse mamaja është vegjetariane…
Nëse jeni vegjetariane, nuk jeni të detyruara të hani mish gjatë shtatëzanisë. Gjëja e rëndësishme është që të keni një dietë të larmishme, të ekuilibruar dhe të pasur sidomos me proteina. Ju mund të zëvendësoni proteinat e mishit me vezë të gatuar, bishtajore, produktet e të mirë-kontrolluara të qumështit, drithëra, sojë etj. Megjithatë, ju mund të kërkoni këshilla nga gjinekologu juaj nëse është e nevojshme të merrni vitamina shtesë.





