“Çfarë e duam ne BE-në mor piktor, ne po ikim pa pasaporta…”, është kjo fraza ironike e një komentuesi në rrjetin social Facebook, që kryeministri Edi Rama vendosi t’i përgjigjej këtë të shtunë.

Përmes rubrikës së tij “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë thekson se pasaporta europiane duhet jo vetëm për të realizuar një ëndërr të hershme, por edhe për të çuar në vend dinjitetin e shqiptarëve.

“Kur thua mor piktor e thua për të treguar që ke të drejtë, që mendon se nuk të duhet pasaporta europiane e Shqipërisë, meqë sipas teje ne po ikim pa pasaporta, apo…

Po pasaporta evropiane nuk duhet për të ikur, se për të ikur, ikën e dhe me këtë që kemi. Ke të drejtë, pasaporta evropiane duhet për të fituar më në fund dinjitetin e qytetarit të barabartë evropian, dinjitetin e udhëtarit evropian, që nuk e nxjerrin anash në çdo hyrje të BE për ta pyetur me policë ku po shkon.

Dinjitetin e studentit evropian, që kudo ku studion në Evropë gëzon të drejta të barabarta me studentet që janë lindur dhe rritur në atë vend të Evropës. Dinjitetin e punëmarrësit evropian, që kudo ku punon gëzon të drejta të barabarta me punëmarrësit të lindur dhe të rritur në atë vend të Evropës.

Dinjitetin e njeriut të lirë, të barabartë që gëzon çdo të drejtë europiane dhe çdo mundësi të mundësuar nga solidariteti europian, pak janë këto?! Të përçmosh punën e tjetrit është kollaj, po nuk të ndihmon të jetosh më mirë”, tha Rama.