Gjykata ka lënë në burg disa ditë më parë infermieren e Infektivit, Ronida Hysi me akuzën e “vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës”, për shkak se akuzohet se i mori nga karta 60.000 lekë një pacienti sapo ai u fut në intubim.

Dy ditë më vonë, pacienti Kamber D., ndërroi jetë, ndërsa kur tërhoqën trupin dhe panë sendet personale, familjarët kuptuan se atij i mungonin 10.000 lekë si edhe karta e debitit në portofol.

Pas denoncimit, prokuroria filloi hetimet, duke zbuluar përmes kamerave të sigurisë së bankomateve, ku infermierja kishte tërhequr lekët, identitetin e personit të dyshuar se kishte kryer këtë akt.

Në dosjen e prokurorisë, shpjegohet me detaje se si vijoi hetimi, deri në zbulimin e infermieres që i kishte zbrazur llogarinë pacientit që ndërroi jetë nga koronavirusi.

Kamerat e sigurisë së një bankomati në QSUT, kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor, “një vajzë me flokë të kapura, që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit Kamber D.”.

Pas kësaj, prokurorët kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë së Infektivit, ku në orën 07:53, duket duke dalë nga ambientet e spitalit, e njëjta vajzë që është parë 7 minuta më vonë tek bankomati në QSUT.

Pasi kanë bërë krahasimet dhe kanë marrë regjistrimin e personave që ishin në shërbim në turnin e tretë tek Infektivi gjatë natës, së datës 24 dhjetor, prokurorët kanë konstatuar se e dyshuara ishte pikërisht Ronida Hysi.

Në dosje, shkruhet se kur është marrë në pyetje, Ronida Hysi nuk ka mohuar përdorimin e kartës së pacientit, duke thënë se portofolin e kishte gjetur në ashensorin e repartit Infektiv gjatë punës ku aty brenda ishte edhe kodi PIN.

“E gjeti, nuk e vodhi”, ka qenë edhe thelbi i mbrojtjes së Ronida Hysit nga avokati i saj në gjykatë, gjë të cilën gjykatësit nuk e kanë marrë parasysh, duke dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. /abcnews