Energjia, transporti, sistemi bankar, tregjet financiare, shëndetësia, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, rrjeti digjital, administrata publike, si dhe prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e ushqimit janë sektorët që përbëjnë infrastrukturën kritike të Kosovës. Kjo infrastrukturë është jetike për funksionimin dhe sigurinë e shtetit, si dhe të qytetarëve të tij.

Kosova ka ligj për mbrojtjen e saj, por disa ekspertë të sigurisë thonë se ai nuk zbatohet siç duhet. Për Mentor Vrajollin, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shtimi i masave është urgjent, në kohën kur kërcënimet, “si kibernetike, ashtu edhe terroriste”, janë rritur në nivel global. Javën e kaluar, në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës – i cili furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Për pasojë, furnizimi i rregullt me ujë dhe energji elektrike u ndërpre për disa kohë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për këtë sulm, duke thënë se qëllim kishte t’i shkaktonte dëme të pariparueshme infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi çdolloj përgjegjësie dhe e dënoi sulmin.

Çfarë parasheh ligji?

Kosova ka Ligjin për infrastrukturën kritike që nga viti 2018. Qëllimi i tij është “ta ruajë dhe mbrojë infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, t’i mbrojë qytetarët e Republikës së Kosovës, t’i parandalojë incidentet dhe ta minimizojë dëmin potencial në këtë infrastrukturë”. Më 27 nëntor, vetëm dy ditë para sulmit në Ibër-Lepenc, Qeveria e Kosovës miratoi disa ndryshime në ligj, duke i shkrirë disa sektorë të infrastrukturës kritike në një.

Këto ndryshime tani janë në pritje të votimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Përndryshe, autoriteti kryesor për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, si dhe të politikave për identifikimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, është Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Ajo ka kompetencë të kryejë inspektime në terren dhe të sigurojë, madje, mbrojtjen e duhur fizike të hapësirave të infrastrukturës kritike.

Kjo ministri nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar rreth mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së kësaj infrastrukture. Por, pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, Këshilli i Sigurisë i Kosovës miratoi disa masa shtesë për të forcuar sigurinë e infrastrukturës kritike, qoftë në ura, trafostacione, antena, liqene etj. Për këtë qëllim, Këshilli kërkoi nga Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës që të aktivizohen në terren.

Si ruhet infrastruktura kritike?

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Izmi Zeka, thotë se nuk duhet pritur ndonjë rast i caktuar për t’u marrë masa. Sipas tij, janë disa sektorë që u duhet sigurim i vazhdueshëm fizik. Në mesin e tyre, ai veçon ujin, ushqimin dhe rrymën. “Penda e Badovcit, Gjilanit, Ujmanit, Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’, ‘Mitrovica’… e pastaj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) janë sektorë që nuk duhet të lihen pa roje, pa mbikëqyrje, pa kontroll 24 orë, sepse dëmet eventuale në ta mund të jenë katastrofale dhe ta rrezikojnë shëndetin publik”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Pyetjeve të REL-it për sigurimin fizik të objekteve të tyre nuk iu përgjigjën as KEK-u, as Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, e as Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”. Bashkim Kurti, kryeshef ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”, tha se në fabrikat ku bëhet trajtimi i ujit, ka roje gjatë gjithë kohës.

“Ndërmarrja i ka dy fabrika: një në Shipol dhe një në Balincë. Në këto dy hapësira ka sigurim 24 orë. Ata janë punëtorë të kompanisë dhe përkujdesen edhe për çështje të sigurisë, edhe për çështje operative”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Pas sulmit në Ibër-Lepenc, kryeministri Kurti tha se ky kanal është thuajse e pamundur të mbikëqyret gjatë gjithë kohës. “Kanali Ibër-Lepenc është një kanal mbi 50 kilometra dhe natyrisht që është tejet e vështirë të kontrollohet dhe të jetë nën mbikëqyrje 24 orë në shtatë ditë të javës, në gjithë gjatësinë e tij”, tha ai në një konferencë për media më 1 dhjetor./Rel/