Arrestimi i 24-vjeçarit Berald Islami në terminalin e pasagjerëve në Durrës, kur po bëhej gati të imbarkohej në traget për në Bari, në pamje të parë ishte një tjetër sukses normal i policisë durrsake. Kapja e rreth 2.5 kg heroine, të fshehura në trup nga Beraldi nuk ishte ndonjë operacion i veçantë, se tashmë në Durrës janë kapur edhe 15-16 kuintalë kanabis dhe kanë kaluar me sukses, por janë kapur në Itali edhe 8 ton kanabis.

Faktikisht kjo kapje nuk ishte si gjithë të tjerat. Beraldi nuk duket se është një korrier i zakonshëm droge. Menjëherë pas arrestimit të kryer në kushtet e flagrancës, në ambientet e policisë ai u mor në pyetje nga personeli i Guardia di Financa-s italiane, i vendosur në Durrës prej vitesh.

Sipas Memorandumit të mirëkuptimit, që rregullon prezencën e financierëve italianë në Shqipëri, atyre nuk u lejohet të marrin në pyetje të arrestuar si rasti i Islamit. Për më shumë, djaloshi 24-vjeçar u mor në pyetje nga vetë koloneli Luca De Paolis, që komandon financierët italianë me shërbim në Shqipëri.

Një veprim i tillë është krejt i pazakontë, sepse kol. De Paolis nuk ka marrë në pyetje persona të kapur nga policia shqiptare, as edhe në rastin e operacioneve të rëndësishme ndërkombëtare si psh. ai i 4 shkurtit 2017, kur policia shqiptare bashkëpunoi me malazezët dhe italianët.

Në këtë rast, kol. De Paolis, thjesht në mënyrë protokollare e për arsye të marrëdhënieve me publikun, u shfaq para gazetarëve shqiptarë së bashku me drejtuesin e lartë të policisë shqiptare z.Merepeza, por kurrsesi nuk bëri rolin e brigadierit apo shumë shumë të mareshalit të financës!

Një veçanësi tjetër e këtij arresti është edhe rrjedhja” (leak) e lajmit në mediat italiane. Njëlloj si të ishte një lajm i prodhuar nga një zyrë zëdhënësi institucioni disa media italiane kishin të njëjtin tekst lajmi thjeshtë “copy paste’ si psh. Lecceprima.it (linku: http://www.lecceprima.it/cronaca/traffico-internazionale-eroina-albania-18-febbraio-2017.html) apo edhe Corriere del Mezzogiorno (linku: http://corrieredelmezzogiorno.corriere.it/lecce/cronaca/17_febbraio_18/durazzo-bloccato-giovane-corriere-partenza-la-puglia-cinque-chili-eroina-purissima-45ca3a2c-f5d3-11e6-a36c-38abd7ae17cd.shtml).

Të dyja këto media kishin po ashtu të njejtën video ilustruese, të arrestimit të korrierit, por kjo video ndryshonte nga ajo e shpërndarë nga policia shqiptare për mediat në Shqipëri. Të gjitha këto veçanësi e bëjnë arrestimin e korrierit, që të na kujtojë proverbin shqiptar: ferra e vogël fsheh lepurin e madh.

Gj. Th.